Vritet një person në Lipjan

Një person i moshës 54-vjeçare, me inicialet M.G, ka ndërruar jetë sot rreth orës 13:00 si pasojë e plagëve të marra nga një armë zjarri në fshatin Tërbovc të Lipjanit.

Lajmin e ka bërë të ditur për Telegrafin zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Sipas saj, menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes.

“Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëjë me vrasje, ku viktima me inicialet M.G. mashkull, 54 vjeç, duke mos mundur tu përballoj plagëve të marra nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë”, tha ajo.

Ahmeti tha se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

“Aktualisht policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin”, shtoi tutje Ahmeti për Telegrafin.

Zëdhënësja Ahemti tha po ashtu se personi i dyshuar për vrasje është identifikuar dhe po kërkohet nga ana e policisë.