Në një dhomë të vogël që i ngjanë një shtëpie të  braktisur, pa rroba e me bark të zbrazët, jeton familja shtatë antarëshe e Muhamet Hoxhaj tash e tetë vite në kampin e Deçanit.

Hoxhaj, derisa kishte luftuar për çlirimin e vendit, tani në liri ai është në luftë për mbijetesë.

Thotë se nuk e kishte menduar kurrë, që liria do të ishte kaq e dhimbshme për të dhe se do ta kishte kaq të vështirë ta siguronte kafshatën e gojës për fëmijët, të cilëve ua solli lirinë.

Por jo këtë liri që ata e gëzojnë sot,  me një varfëri të skajshme.

E kjo gjendje bëhet dhe më e rëndë në prag të festave si kjo e Bajramit,  ku ata s’kanë me çka ta shtrojnë as sofrën.

Teksa rrëfen për jetën e vështirë që po kalon, Hoxhaj thotë se nuk e di se si do të ia bëjë, që të paktën fëmijët e tij të gëzohen në raste festash dhe atyre të arrijë të ua shtrojë një drekë të Bajramit, pasi që frigoriferi i tyre është i zbrazët dhe se nuk ka as para të blej ushqim.

Por familja Hoxhaj  nga kampi i Deçanit, nuk po lufton vetëm me varfërinë, por edhe me gjarpërinj e minj, që hyn e dalin lirshëm në kampin që improvizon një shtëpi nga druri, dritaret e të cilës hapen sa herë që frynë era.

Derisa nuk kanë mundësi të ngopen mirë me bukë, ata jetojnë edhe me frikën se një ditë shtëpia ku jetojnë do të rrënohet.

Zonja e kësaj shtëpie, Hajrie Hoxhaj, rrëfen se si shpëtoi djali i saj katër vjeçar nga gjarpri i cili ra nga çatia e kësaj shtëpie.

Kryefamiljari, Muhamet Hoxhaj i cili është veteran i luftës së UÇK-së, ka rrëfyer se sa të vështirë e kanë ata si prindër, që t’ua plotësojnë kërkesat fëmijëve të tyre, kërkesa që nuk përfshijnë më shumë se një kafshatë goje e një kulm, ku do të qëndrojnë pa frikën se një ditë do të bjerë mbi ta.

Hoxhaj vuan edhe nga sëmundje, e cila shpesh herë i pamundëson të punojë.

E mërzitur nga jeta e vështirë , Orgesa Hoxha,  ka vetëm një lutje për të gjitha ata zemërgjerë, që duan ta gëzojnë këtë familje, në prag të festës së Kurban Bajramit.

Kjo familje shpreson që në këtë festë, njerëzit e vullnetit të mirë, do t’ia zgjasin dorën për t’i ndihmuar.

Për të ndihmuar këtë familje mund të kontaktoni në këtë numër: +37745277668 /Informatat.com/