Unë jam shqiptari modern, shqiptari i shekullit të ri.

Kam teknologji të lartë e cilësi jete të ulët.

Jam multi-kultural e i pa kulturuar.

Kam plot diploma nëpër duar. Jam M.Sc., MA, MBA, LLM, PhD. Kam dhe 2-3 të tjera, po çanta nuk mi nxë. Me të lirë, si domatet i kam blerë.

Por në fusha të ndryshme, që të jem intelektual me bazë të gjerë. Jam interaktiv, hiperaktiv dhe herë pas here edhe radioaktiv.

Jam i integruar, i çertifikuar, i institucionalizuar, i standartizuar. Quhesha Niku, por tani më thërrasin Miku. Këtë kam emër. Edhe mbiemër.

Edhe identitet të vërtetë. Edhe pasaportë, edhe lejekalim. Madje pa asnjë harxhim. Përveç shpirtit tim. Jam pak dembel, por ama fryhem si gjel.

Disi i pacipë dhe i paprinciptë, por kjo më duhet që të fitoj vendin e punës me politikë e me mik. Vesh rroba të kuqe, rozë e portokalli, çdo ditë kam vetëm një axhendë: nga blloku – në shtëpi.

Modernizmit nuk kam më çfarë ti shtoj. Sepse nuk kam aq mend sa ta kundërshtoj. Por kam dashnore, para, makinë.

Ngado që shkoj njerëzit ma bëjnë “Amin!”. Kam trajner personal, asistent personal, axhendë personale.

Jam cool, trendy, friendly. Gojën nuk ma mbyll kush se jam revolucionar, shtegtar, aspak katundar. Të drejtën time kërkoj.

Përballë çdo qeverie e problemi protestoj. Nga askush nuk kam frikë. Shpeshherë i quaj edhe kopukë. Po vetëm në twitter e facebook.

Nuk besoj, nuk lexoj, me zor punoj. Kuptimin e jetës më s’e kërkoj. Po kjo gjë nuk më shqetëson se jeta njësoj mbaron. Dogmat i kam qejf, citatet gjithashtu.

Shaj e mallkoj këtë vend. Nuk bëhet më këtu. është e vërtetë që me zor shkoj në shkollë apo në punë se më flihet gjumë, që ditët zvarrë i çoj dhe nuk dua e nuk mundem ti ndryshoj, që nuk kam solidaritet apo integritet.

Por ato me dëshirë ikam shkëmbyer për të pasur modernitet.

Bërtas, ankohem, gënjej. Më të mirë se vetja kurrkund nuk gjej. Kam edhe vlera. Por shumicën i kam hedhur ne plehra.

Parime nuk kam. As moral. Mungesa e tyre më mban gjallë. Jam shqiptari modern i shekullit të ri. Por s’po kuptoj nga jehon ky zë që më thotë ”Quo Vadis, o njeri”?

Nga një qytetar