Tifozi i kërkoi fanellën Eriksenit, por ajo ishte e rezervuar për dikë tjetër

Mbrëmë, ylli i Tottenhamit dhe Danimarkës, Christian Eriksen, luajti në “Fadil Vokrri”, për ndeshjen miqësore ndaj Kosovës.

Afër fundit të ndeshjes, një tifoz hyri në fushë dhe e përqafoi danezin.

Erikseni e shënoi një gol në barazimin me rezultat 2:2 ndaj Kosovës, mirëpo një tifoz kosovar nuk ishte aspak i zemëruar me këtë gol të danezit.

Ai u fut në fushë afër përfundimit të ndeshjes dhe e shfrytëzoi këtë mundësi për t’ia kërkuar fanellën Eriksenit, raporton Gazeta Express.

Por, përkundër përpjekjes së tij, tifozi nuk e mori këtë fanellë, pasi që mesfushori danez vendosi t’ia dhurojë atë një ushtari danez të KFOR-it.

“Unë u habita shumë. Fillimisht mendova se ishte ndonjë lojtar i Kosovës e pastaj mendova ‘Çfarë dreqin po ndodh?’.

Pastaj u bë e qartë që nuk ishte një kundërshtar, por një tifoz që po më thoshte diçka”, ka thënë Eriksen.