Të gjitha detajet nga qëndrimi i Clinton, Albright dhe Clark në Prishtinë “Njëzetvjetori i lirisë së Kosovës”

Me aktivitete të shumta është shënuar 20-vjetori i hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë dhe çlirimin e vendit.

Në shënimin e kësaj ngjarje të rëndësishme në Kosovë kanë qëndruar personalitete të ndryshme ndërkombëtare.

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, ish-sekretarja Amerikane të Shtetit, Madeline Albright dhe ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark ishin disa nga personalitete më më ndikim të cilët së bashku me qytetarët e Kosovës kujtuan hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë dhe çlirimin e vendit.

Tubimi qendror i shënimit të 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, është mbajtur sot prej orës 11:00 e deri në ora 12:00 në sheshin Skenderbeu në kryeqytet.

Në të cilën kanë mbajtur nga një fjalim rasti krerët e shtetit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Për hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë para 20-viteve folën edhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, ish-sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeline Albright dhe ish-komandanti i NATO-s gjenerali Wesley Clark.

Clinton para mijëra qytetarëve tha se i pëlqen Kosova dhe se gjithmonë do të jetë nder në jetën e tij që ka qëndruar me kosovarët kundër spastrimit etnik.

Kurse, ish-sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeline Albright ka thënë se ndjehet e lumtur që është prezente në Kosovë.

Ajo ka shtuar se vendimi për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, nuk ka qenë vendim i lehtë.

Për hyrjen e trupave të NATO-s foli edhe ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, i cili tha se për të është përvojë e jashtëzakonshme kthimi në Kosovë, për të parë demokracinë, presidentin, kuvendin, udhëheqjen dhe ekonominë e Kosovës krahasuar me kohën e tragjedisë 20 vjet më parë, duke shtuar se populli Kosovar është duke ndihmuar vendin të ecë drejt Perëndimit.

Pas përfundimit të tubimit qendror, është mbajtur edhe ecja për liri.

Në të cilën personalitet vendore dhe ndërkombëtare ecën në sheshet e Prishtinës të cilët ishin të stërmbushura nga qytetarët, të cilët kishin dalur për t’iu uruar mirëseardhje miqve amerikan.

Ecja e tyre zgjati deri të busti i ngritur për ish-sekretaren amerikane, Madeleine Albright.

Ku edhe ndodhi përurimi i bustit i cili është i vendosur afër monumentit të ‘New Born-it” në Prishtinë.

Ky bust është ngritur në shenjë falënderimi në 20 vjetorin e ndërhyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.

Albright ka deklaruar se ndihet e nderuar që për të është ngritur një bust, dhe se Kosova do të thotë shumë për të.

Pas përurimit të bustit të ish-sekretares Madeleine Albright, është bërë zbulimi i pllakës së bulevardit “Bill Clinton”.

Clinton tha se për të kjo është një dhuratë e çmuar.

“Kjo është dhuratë shumë e çmuar për mua.

Faleminderit për këtë pllakë që e keni vendosur këtu, sepse dëshiroj që çdo qytetarë i Kosovës ta dijë se kjo do të thotë shumë për mua.

Dhe jo vetëm për atë që kam bërë për fëmijët e tyre, për veten, por për atë që kam bërë për tërë Evropën”.

Shënimi i 20-vjetorit të çlirimit të vendit përfundoi me konferencën Ndërkombëtare e Sigurisë “20 Vite Liri: Një Vizion për Paqe të Qëndrueshme”.

Gjeneraly Wesley Clark në këtë konferencë ka kujtuar momentet e ndërhyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.

Ai në fjalën e tij ka thënë se është kënaqësi e madhe që të jetë sot në Kosovë.

Clark ka thënë se është krenar me Kosovën dhe se janë bërë shumë përparime.

Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Hilary Clinton, përmes një video-mesazhi nga Amerika i është drejtuar Konferencës për Sigurinë që po mbahet në Prishtinë për 20-vjetorin e hyrjes së NATO-s.

Përmes këtij mesazhi, Hilary Clinton ka deklaruar se qytetarët e Kosovës e meritojnë pavarësinë dhe paqen.

Në lidhje me rolin dhe të ardhmen e NATO-s, Clinton tha se viteve të fundit ka dëgjuar që e vënë në dyshim rolin, mision dhe ekzistencën e NATO-s në shekullin XXI.

Ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, gjatë Konferencës për Siguri tha se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, 20 vjet më parë, “ishte e pashmangshme”.

Në 20-vjetorin e hyrjes së NATO-s në Kosovë, përmes një video-mesazhi, të pranishmëve në Konferencën për Siguri u është drejtuar edhe ish-kryeministri britanik, Tony Blair.

Ndërhyrja e NATO-s nuk ishte një vendim i lehtë, tha ish-kryeministri britanik.

Ai tha se të gjithë ishin të vetëdijshëm sesa e vështirë ishte rruga drejt përparimit dhe paqes, por, sipas tij, “kishim besimin në njerëzit e Kosovës”. /Telegrafi/