Arritje historike për hendbollin dhe sportin ekipor. Përfaqësuesja U-21 e hendbollit u bë e para që siguron kualifikimin në një Kampionat Botëror.

Djelmoshat tanë u kualifikuan në Botërorin, i cili në korrik të këtij viti mbahet në Spanjë – thuhet në njoftimin e KOK-ut.

Kosova U-21 fitoi finalen me Taipein Kinez, me rezultat 30-26, në kuadër të garës IHF Trophy Intercontinental, të organizuar në Prishtinë.

Hendbollistët tanë dominuan tërë ndeshjes, që u zhvillua në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, para më shumë se 1.000 tifozësh.

“Komiteti Olimpik i Kosovës përgëzon suksesin historik të hendbollit dhe gjithë komunitetit të këtij sporti”, thuhet në njoftim.

Është ky një sukses i madh për kryetrajnerin Fatmir Muhaxheri, i cili ka qenë i njohur gjatë karrierës së tij si një prej hendbollistëve më luftarakë në lojë.