Studiuesi Morina, Kanuni I Shqiptarëve Rrjedh Nga Lashtësia, Para Shkrimeve Homerike!

Kanuni si trashëgimi e lashtësisë (imazhi antik i Kanunit!)

Koncepti i fytyrës – korisë, nuk është studiuar thuajse fare nga shkencat shqiptare, përfshirë edhe ato sociologjike dhe psikologjike.

Shkruan: Idriz Morina

Kuptimi i imazhit është esencial për shkencat e komunikimit dhe të gjitha shkencat sociale përgjithësisht. Nga image – figurë, varet perceptimi i jonë për veprimin dhe ndërveprimin, që janë parësore në komunikim, të individit me kulturën në këtë rast, të tezës sonë, dhe nëpërmjet saj, me shoqërinë tonë dhe të vetë shoqërive ndërmjet tyre. Përgjithësisht imazhi i shqiptarëve në Evropë është përshkruar si një popull me prapambetje kulturore, më i pacivilizuar se fqinjët dhe me stereotipe, sipas propagandës së bërë nga fqinjët, duke e mohuar për një kohë të gjatë dhe ende vazhdojnë ta bëjnë këtë, trashëgiminë ilire, e veçmas autoktoninë tonë më të hershme. Me krijimin e shtetit të parë shqiptarë (1912) fillon përmirësimi i imazhit, por gjithnjë i ngatërruar, kryesisht për shkak të problemeve politike brenda tij, por edhe për shkak se më shumë se gjysma e territoreve dhe popullit shqiptar kishte mbetur jashtë Shqipërisë, kështu është ndarë edhe trashëgimia dhe është kufizuar mundësia e hulumtimit, zbulimit, jo në kuptimin e gjetjes së të panjohurës, por shpalimit të asaj që ndodhet aty.

Shembuj të përfitimit të dashurisë dhe respektit nëpërmjet trashëgimisë kulturore, pra imazhit që vjen nga lashtësia janë si raste ekstreme Greqia dhe Italia në Europë, dhe më larg Egjipti i njohur për piramidat madhështore. Turizmi i jashtëzakonshëm kulturor në këto vende ka rritur dhe vazhdon t’ju jap imazh të jashtëzakonshëm këtyre vendeve dhe fitime të mëdha buxhetore nga turizmi kulturor.

Për shqiptarët sot fjala imazh apo koncepti që shpreh ajo mund të duket ende i ngatërrueshëm. Shumë kohë më parë fëmijëve shqiptarë u mësohej imazhi nëpërmjet shprehjes së paragjykimeve apo frikës për një fenomen. Një nga mësimet, por edhe si të thuash kërcënimet që u bëheshin fëmijës, ishte: “Mos ma merr fytyrën, mos më korit”, ndërsa për rastet specifike për të rriturit urohej “… paq faqen e bardhë” etj., janë mesazhe të cilat në vetvete janë të përcaktuara për kërkimin apo ndërtimin e një imazhi të caktuar.

Ky komunikim ishte i lidhur me një kod të lashtë, që ne e gjejmë si mbetje të kulturës që është përshkuar dhe diktuar fuqishëm dikur nga Kanuni shqiptar. Kanuni më shumë se sa një rend social e nënkuptonte edhe një sistem vlerash.

Prandaj ne po i qasemi gjetjes së këtij imazhi në rrënjët e kulturës sonë, nga i cili mund të përfitojnë edhe të huajt, nga disa veçanti që kanë mbijetuar deri vonë në sjellje kolektive tek shqiptarët.

Kanuni, nuk e detyron se si të sillet një njeri, që konsiderohet se ka ‘mëkatuar’, qoftë kur zhburrnohet, qoftë kur e humb fytyrën. “§519. Kanuja thotë: Ftyren e vragnueme në daç laje, në daç zezoje edhe ma”, Kanuni (2009, [1933], Libri i VI, nye i 85-të).

Pra, ndëshkim më të madh vështirë se mund të jepet për shkelësin e ligjit, se sa ti merrej fytyra për jetë, duke e shpallur “faqezi”, koncept antitetik i Fytyrës!

“§.802. Kush vjedhë Shpin e strajcen e mikut, kanuja i ka caktue per giobë “faqen e zezë”, e asht i hjedhun prej kuvendit e gjyqit”, Kanuni (2009, [1933], Libri i 10-të, nye i 158).

Këto janë vetëm disa nga fjalët dhe frazeologjitë që shprehin thuaja gjakimin e një kodi për rend dhe etikë perfekte në një organizim shoqëror, vlerë kjo që duhet gjetur kanalin për t’ia plasuar publikut të huaj.

Kjo pasi shqiptarët kanë jetuar duke e pasur të koduar imazhin, përkatësisht fytyrën, se si ruhet dhe se si humbet ajo, nëpërmjet ligjit të pashkruar, kanunit.

Koncepti i fytyrës – korisë, nuk është studiuar thuajse fare nga shkencat shqiptare, përfshirë edhe ato sociologjike dhe psikologjike.

Si një lloj kodi (fytyra) apo komunikimi etik (jo kanuni), është studiuar nga Emanuel Levinas, i cili i kushton vëmendje të veçantë konceptit dhe vetë emocionit njerëzor që e karakterizon fytyrën, si përpjekje për ndërtimin e koncepteve themelore etike, përkatësisht mungesës së saj. Dhe përtej kësaj, ai gjen se ka një relacion komunikimi ndërmjet, fytyrës dhe diskursit: “Fytyra dhe diskursi janë të lidhura. Fytyra flet. Ajo flet, ngase ajo e bën të mundur, dhe e fillon çdo diskurs”. (Levinas, 2003, p.106).

Edhe në komunikimin shqiptarë është i pakontestueshëm roli konceptual i fytyrës. Ky lloj komunikimi ka pasur thuaja një rol qenësor në marrëdhëniet ndërnjerëzore, në raportet brenda familjes, fshatit, flamurit (bajrakut), krahinës etj. Edhe në kohët moderne, edhe pse në formë tashmë të rrëgjuar ka jo pak rëndësi, e më i theksuar është në zona më të thella malore dhe në ato rurale shqiptare. Ruajtja e fytyrës na rezulton se është si nënkod komunikimi, që i ka ruajtur shqiptarët nga konfliktet dhe përplasjet, por është edhe rregulli, që i ka shtyrë drejt vrasjeve, vrasjeve në mbrojtje të fytyrës, kur dikujt i është cenuar burrëria dhe nderi; dhe i ka shtyrë drejt gjakmarrjes po në mbrojtje të fytyrës, sepse mos nxjerrja e hakut ka qenë zhburrnim dhe turpërim, që ka nënkuptuar sipas kanunit, vdekjen për së gjalli, Kanuni (2009, [1933]).

Përgjithësisht ky nënkod moral, shihet, bazuar edhe në komunikimin dhe kërkesat e tij, si një filtër, në komunikim dhe vendimmarrje, meqë ka pasur një enkodim, pa zbërthimin e të cilit, nuk ka ardhur në shprehje reagimi apo kundërvënia, hakmarrja.

Ky kod ka nxitur edhe mbrojtjen e imazhit të shqiptarëve, që thuajse pashmangshëm është i ndërlidhur me kodin e Besës, për imazhin e të cilit do të diskutojmë më poshtë!

Por, cenimi i fytyrës mund të ndodhë edhe në mënyrë indirekte. Sipas “Kanunit Lekës”, fytyra humbet edhe në dorëzani. Për ta mbrojtur atë në rast të dorëzanisë për gjak, kur ajo shkilet, dorëzani duhet të hyjë në konflikt, Kanuni (2009, [1933]).

Fytyra humbet pashmangshëm edhe në rastet e krimeve ordinere, si kur dikush vjedh, vë dorë mbi pronën që nuk është e tij, kur shkel nderin e tjetrit duke ia marrë gruan, vajzën etj., dhe për këto ka ndëshkime të rënda, Kanuni (2009, [1933]).

Në kanun dhe në traditën shqiptare, fytyra është pashkëputshëm e lidhur me nderin, edhe pse kjo quhet si një çështje personale. “§596. Nderen seicili e ka per vedi e nuk mund t’i përzihet kush kuej as me e rrethue me pegje e me pleq. Dy gisht nderë në lule të ballit na i njiti Zoti i Madh”, (2009, [1933], libri i 8-të, krye i 70-të).

Por, humbja e nderit, do të thotë humbje e fytyrës, kalim në pafytyrësi, pandershmëri.

Humbja e nderit, pafytyrësia është fatale, sipas kanunit: “§.600. aj, të cillit iu muer ndera, xehet i dekun kah kanuja”, (2009, [1933], libri i 8-të, krye i 70-të). Këtë mund ta paraqesim si më poshtë:

Fytyra = Nderin = Jetën (Përjetësinë)

E kundërta e saj:

Jo Fytyra/Pafytyrësia = Humbja nderit/Pandershmëri = Vdekje!

Një kodim i tillë i jetës, kaq delikat, ka marrë pjesë edhe në krijimin e një etnopsikologjie të veçantë tek shqiptarët, dhe shpeshherë të keqkuptuar dhe të pakuptueshme për popuj dhe kultura të tjera.

Kanuni sipas akademikut Sabri Hamiti tejkalon përpjekjen që ai në vetvete të jetë një kod normash për të drejtën. “Kanuni i Lekë Dukagjinit… përmban “palcën etnike të kombit shqiptar dhe të kulturës së tij” (Hamiti, 2002, p. 458). Ai vlerëson se nga amza e tij “u rrit letërsia shqipe”, Hamiti, (2002).

Si rezulton nga më sipër, një kod i tillë meriton më shumë vëmendje për prezantimin e vlerave të shqiptarëve para publikut të huaj, përfshirë edhe atij shkencor.