Shkruan: Rron Gjinovci

Duhet thënë në fillim që Albin Kurti është person që i kushton tepër rëndësi simbolikës, gati në detaje, në secilin rast të çfarëdo veprimi a paraqitje të tij publike.

Në platformën e tij që e shpalosi gjatë fushatës brendapartiake për kryetar të LVV-së, arrij t’i shoh e lexoj jo vetëm ato që kuptohen direkt nga teksti po edhe kritikën e tij ndaj krahut të kundërt që nuk guxoi t’i kundërvihej fizikisht, pra me një kundra kandidat.

Me aq sa mund t’i kuptoj marrëdhëniet dhe rrjedhat prej aty ku e kam lënë LVV-në në vitin 2012 dhe prej informacioneve që kam marrë nga aktivitetet e paraqitjet publike e poashtu të njerëzve të afërt me LVV-në, do të mundohem ta zbërthej platformën e Kurtit dhe nëntekstin e saj të fshehur në strukturën e tekstit si të tillë.

Teksti fillon me tri shtyllat e LVV-së:

1. Ideja politike; 2. Programi për realizimin e saj (për zhvillim ekonomik); 3. Organizata; të barazvlefshme me pendën, bukën dhe pushkën, trion e famshme të një tubimi të tij gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet kombëtare, që në fakt ai vet (plaku që ia kishte thënë dhe Gellner-i te i cili e kishte lexuar) i sheh edhe si shtyllat e Republikës.

Nga nënteksti i platformës kuptohet që bindja e Kurtit është se aktivistët kanë kultivuar dije disi mekanike.

Dije si grumbullim informacionesh që nuk mund të realizohet.

Ai kërkon që të bëhet edhe kultivimi i shijes “pra edhe shijes përveçse dijes, sepse një aktivist apo politikan i pakulturuar, i paditur, zhvillon komplekse të cilat dëshpërueshëm orvatet t’i shërojë përmes pushtetit.

Shija pra është ajo që tregon aftësinë për të vënë në përdorim dijen e fituar.

Pasi dikush të ketë fituar dije, do të duhej ta përdorte atë, përndryshe ajo bëhet e panevojshme.

Plot aktivistë në LVV përgjatë viteve qenë ngritur në nivel mitesh për dijen e fituar nga leximet e gjata.

Por të njëjtët s’arrinin asnjëherë të sillnin ndonjë gjë konkrete përveç fjalive të komplikuara pa nevojë e citimeve të autorëve vend e pa vend.

1. E trajtimin e gjerë e të gjatë të Organizatës e fillon me çështjen gjinore.

Nënteksti i këtij “kapitulli” të platformës është mbrojtja e grave aktiviste brenda Lëvizjes.

Hap të parë fillestar ai e përmend komisionin disciplinor.

Kjo më bënë të kuptoj që ka pasur probleme me ngacmime seksuale dhe nga sa duket, masive.

Sidomos për faktin e përmendjes këtu të komisionit disciplinor dhe sidomos për faktin se e ka renditur si të parën, rrjedhimisht më urgjenten gjë për t’u zgjidhur si çështje në organizatën “e re”.

2. I dyti në radhë vjen vullnetarizmi. Ky ka munguar qe një kohë nga trupi bosht i aktivistëve.

Prej vitit 2011 e tutje, çdo herë e më shumë LVV ka shkuar drejt burokratizimit, drejt robotizimit të aktivistëve, sidomos me sistemin e pagave të propozuar nga ish sekretari organizativ, që solli në LVV mungesën e iniciativës nga aktivistët dhe reduktimin e sekretariatit të LVV në një trupë ekzekutive që përmbush listën e përshkrimit të detyrave dhe që aktivizmin e redukton në numër sa më të madh arrestimesh e heroizmash patetikë.

3. E treta vjen çështja e financave. Ai kritikon diskrepancën e krijuar mes Sekretariatit të Përgjithshëm në Prishtinë dhe qendrave në tërë Kosovën të cilat ishin lënë jofunksionale e në gjendje të rëndë, ndërkohë që në zyrat e qendrës kishte (dhe ka ende besoj) divanë ku aktivistët shpesh shtriheshin.

S’ka si të mos jetë kritikë ndaj krahut tjetër, nënteksti i platformës së Kurtit kur gjen edhe fjali që thonë gjëra që janë common sense si “asnjë blerje nuk duhet të jetë mbi çmimin më të lirë në treg, dhe asnjë material i blerë nuk duhet të shpërdorohet.

A nuk e dimë të gjithë këtë si një rregull universal, apo kjo ka ndodhur dhe ai po thotë që nuk duhet të ndodhë më?

4. Pastaj vjen sekretariati dhe qendrat ku ai kritikon për pabarazi, për mospunë e mungesë raportimi.

Pabarazi në nivel individësh ndërkohë që në nivel strukturash organizata humbë meritokracinë si pasojë e organizimit të sheshtë.

Duke refuzuar këtë model Kurti propozon “organizimi dhe veprimtaria e Qendrave tona në komunat ku kemi kryetarin ose bashkëqeverisim, është e ndryshme prej atyre ku vazhdojmë të jemi në opozitë.”

5. Forumet politike siç duket i kanë munguar LVV-së. Në fakt, prej vitit 2011, nga forume politike ato nisën të ktheheshin në mbledhi foresh e vicash.

Afërsia e aktivistëve në një mënyrë të pashëndoshë, që karakterizohej me izolim shoqëror me njerëz jashtë LVV-së, bënte që gjithë nevojat njerëzore për rekreacion të kryheshin brenda, madje dikur ato do të jenë kthyer në qëllim.

6. E kur vjen te zyrat e LVV-së krtikon për lënie pas dore të komunave të tjera.

Me ndarjen e pagave sipas hierarkisë dhe me ndarjen e paktë e jomeritokratike të fondeve, qendrat u bënë qysh para vitit 2012 zyra mbledhjesh pa qëllime (me përjashtime natyrisht).

7. Aktivisti sipas asaj që kuptojmë nga platforma e Kurtit që po e lexojmë si nëntekst është bërë një burokrat, një mendjemadh, një person i ashpër, dogmat e hakmarrës, i kurorëzuar me mosdije.

8. E kur vijmë te morali ai është i kujdesshëm që ta shkundë me sa duket edhe krahun e tij (të aktivistëve që janë rreshtuar krah tij).

Ai kritikon të dy palët, ata që kanë humbur çdo lidhje me atë që është morale, por edhe me puritanët që sillen si klerikë që moralizojnë secilin veprim, si politik ashtu edhe personal.

S’ka përfshirje në çështje publike me duar të pastra.

Për të arritur diçka që është në interes publik duhen përlyer duart, por kjo vetëm me kushtin që të arrihet realizimi i interesit publik.

Puritanët moralizues janë konservator që s’i duhen lëvizjes progresiste.

9. Te Sekretariati për Media dhe Komunikim Kurti flet si i djegur tashmë. Sidomos në çështje të medieve duket se ka pasur pakënaqësi.

Ai siç duket konsideron se Sekretari Organizativ duke pasur pushtet mbi Sekretarin për Medie dhe Komunikim mund të fuqizohet, pra duke i aranzhuar emisione e paraqitje të rëndësishme.

Kësisoj ai propozon që ky person të jetë nën Kryesinë dhe jo nën Sekretarin Organizativ.

10. Te Skeretariati për Marrëdhënie me Jashtë nuk duket se ka ndonjë vërejtje por me sa duket ka pritje të reja.

Kjo ndoshta për shkak se këtë sekretariat e udhëheq krahu i tij.

11. E i fundit, Sekretariati për Formim Ideo-politik siç duket nuk ka formuar ideo-politikisht aktivistët e rinj, por ka militantizuar ekzistuesit.

Kurti e thotë qartë këtë kur flet për Shkollën Politike të LVV-së e cila sipas tij “nuk duhet të merret me aktivistët që t’i bëjmë ata militantë intelektualë dhe të kufizohet tek ata.

Por, të merret sidomos me ata që u anëtarësuan dhe ende s’janë bërë aktivistë.”

Vërtetësia e kësaj kritike mbetet të shihet në atë se kujt do t’i besohen detyrat e reja.

Kujt do ti besohet detyra e Sekretarit Organizativ dhe kujt do t’i besohet ajo e Sekretarit për Media dhe Komunikim e kujt ajo e Sekretarit për Marrëdhënie me Jashtë.

E po ashtu, është e nevojshme të dëgjohet nga vet Kurti se cila është autokritika që ai bën për rolin e tij që solli deri te gjendja të cilën po e kritikon në LVV.