Për shërimin e djalit, humbën gjithçka

Familja katër anëtarëshe nga Peja, është detyruar 14 herë radhazi të ndërrojë shtëpinë, kjo për shkak të kushteve të renda.

E me të rëndë gjendjen ekonomike e ka bërë sëmundja e djalit të tyre, ku prindërit kanë dhënë gjithçka për shërimin e tij.

Kjo është shtëpia e 14 që kanë ndërruar familja Maraj nga Peja.

Për shkak të pamundësisë për ta paguar ata janë detyruar që përsëri të ndërrojnë vendbanim.

Këtë herë, Astriti me bashkëshorten dhe dy djemtë e tij është dashur që përkohësisht të shpërngulen tek e motra.

“Tash nuk kom pare me pagu banesën…”

Gjendjen e rëndon edhe më tepër sëmundja e djalit të tij të madh, pesë vjeçar.

“Qe ni vit ma kanë pagu banesën populli…”

Familja Maraj, qe katër vite kërkon ndihmë mjekësore në Turqi për shërimin e djalit të tyre Blerondit, i cili vuan nga shumë sëmundje.

Astriti për shërimin e të birit ka kërkuar ndihmë edhe nga institucionet shtetërore, mirëpo ka hasur në vesh të shurdhër.

“Ka dy vite e gjysmë që kom kerku, tani ju kom drejtu popullit…”

Trajtimin e Blerondit jashtë vendit e ka mundësuar vullneti i mirë i qytetarëve të Kosovës. Ndërsa kohët e fundit, Astriti me të birin kanë shkuar në Turqi me ndihmën e BIK-ut.

Kurse, komuna nuk ka ndarë asnjëherë mjete financiare për këtë familje, e as nuk u ka gjetur strehim, përkundër kërkesave të tyre.

Ndërsa, Komuna e Pejës në një përgjigje me shkrim për Frontal ka thënë që kanë ndarë subvencione për familjen Maraj.

“Ju informoj se Astrit Maraj nga komuna e Istogut ka disa vite qe është zhvendos për banim ne komunën e Pejës dhe për ne është i njohur si rast social dhe me një fëmijë të sëmurë. Në vitin 2018 Astrit Maraj është ndihmuar me 400euro subvencion nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.”

400 euro ndihmë nga kjo komunë nuk kanë arritur që të reduktojnë shpenzimet e shërimit të Blerondit, e po ashtu nuk ka arritur t’i sigurojë kësaj familjeje një kulm mbi kokë.

Blerondi me të atin, tani presin që të nisen për në Turqi që të iu nënshtrohet operacioneve, me ndihmat që i kanë siguruar shoqatat e ndryshme.

Ndërsa, Blerondi kërkon shërim në Turqi, nëna dhe vëllai i tij mbeten në Kosovë, pa strehim.