Nga Kastriot Dervishi

Në fillim të vitit 1940, Enver Hoxha, falë miqësisë me Esat Dishnicën (djali i hallës së Ibrahim Biçakçiut), u vendos në Tiranë në fabrikën e cigareve “Flora”.

Aty banonte pa paguar asgjë. Duke përfituar nga kjo, Esati mori një dyqan me qira nga familja Bakiu, të cilit i vunë emrin e fabrikës “Flora”. Këtu malli kryesor që shitej ishte cigarja, por kishte edhe pije, sallam, etj.

Fotografia e Hoxhës në dyqanin “Flora” e tregon atë në muajt e parë të tregtisë, e cila i ka ecur fort. Duket i kënaqur. Me cigare në gojë si garip, i shkujdesur, me shikim qejfliu, ai duket krejt i papërshtatshëm për t’u marrë njeri serioz apo i lidhur me botën e librave.

Mirëpo, në vitet e pasluftës, qatipët e Hoxhës duhej të nxirrnin patjetër intelektual dhe njeri revolucionar.

Dhe që ta nxirrje Hoxhën nga bota e qejfit dhe parasë ku ishte zhytur e për ta bërë serioz duhej përdorur “bisturia” fotografike. Fillimisht jakat e këmishës i janë “futur brenda” nëpërmjet ngjyrimit.

Por edhe cigarja, aspak e këndshme nga pozicioni, ishte e tepërt në gojën e një udhëheqësi të ardhshëm. Për këtë arsye, ia kanë zhdukur fare. Fytyrën ia kanë zbardhur, e kanë përcjellë për publikun një foto krejt tjetër, nga shitës në blerës në dyqanin “Flora”.

Manipulimet e fotografive të Hoxhës janë njohur si fenomen edhe në nivel ndërkombëtar, ku janë krahasuar me ato të diktatorëve të tjerë.

Në Shqipëri, vite më parë ka qenë studiuesi i njohur Aurel Plasari ai që ka bërë të njohur këtë dukuri.