Nën hijen e sakicës

Shqiptar Oseku

Një grua lojale në politikë shan kolegun burrë në rreth privat, pse kanë mospajtime parimore.

Një burrë ilojal në jetë vret bashkëshorten e vet para fëmijëve, pse kjo nuk i kryeka punët e shtëpisë.

Dy rastet ndodhin me pak orë ndërmjet. Qëlloja se cili nga këto raste bëhet kryetitull medial. Qëlloja se cili syresh shkakton kritika, nënshkrime peticionesh, kërkesa për dorëheqje, ndryshim, parimësi.

Dyfytyrësia që sundon këmbëkryq në mjedisin tonë zor se mund të ilustrohet më bukur se kështu. Stokholmi ku rroj është saktë 2843.5 km larg nga Prishtina. Por kutërbimi i mutit që zien në kazanët e Prishtinës më zë hundët deri atje.

Është thellësisht zhgënjyese të shikosh se sa pak ka ndryshuar kjo shoqëri për kaq shumë vjet liri. Që thua ti, brezi im, lindur në vitet 1970, kemi qenë të indoktrinuar të mbajmë gishtin fajësues gjithmonë kah Serbia. Aty kemi kërkuar dhe rregullisht kemi gjetur farën e çdo të lige në botën tonë.

Por paskemi qenë gabim. Poshtërsia shqiptare nuk qenka produkt i Serbisë, po fara jonë e ligë.

Vetëm kush kupton këtë farë të ligë mund të analizojë qartë se ç’i bashkon dy rastet më lart. Viktimat në dy rastet janë gratë. Ato eliminohen nga jeta politika e fizike pse sfidojnë burrin, zotin e shpisë. Dhe eliminuesit e tyre janë burra, ndonëse ka gra të mashkullzuara që u bëjnë tifo.

Pushteti i zotit të shpisë, bajraktarit, kryeplakut, burrit, është aq i rrënjosur, sa çdo sfidë që i bëhet prej një gruaje legjitimon çdo lloj sjelljeje, të imagjinueshme e të paimagjinueshme.

Them të paimagjinueshme, pse është e paimagjinueshme për një lëvizje serioze të çakërdiset kësisoj shkaku i një fjale në rreth privat.

Është e paimagjinueshme që nje lëvizje e majtë, në qoftë vërtet e majtë, të ketë kompas ideologjik aq defekt sa burrat e kryesisë t’i ngrejnë trekëmbësh publik një anëtares pse shau në strehë të veten burrin, zotin e shpisë. Dhe është komplet e paimagjinueshme për një organizëm politik që ta damkosë kësisoj një anëtare të lartë, në vend se të merret me ata që e rrodhën. Por fara jonë e ligë, ajo pjell rregullisht gjela budallenj që këndojnë maje plehu.

Dy raste me pak orë ndërmjet, dy fate grash në skajet e ndryshme të kësaj shoqërie, që ilustrojnë sa shumë që i bashkon ato, e sa pak që i ndan. Ndërsa neve tjerëve na dëshmojnë sa thellë jemi të zhytur në mut. Të jesh grua shqiptare, edhe sot e kësaj dite, është të rrosh në hijen e sakicës. Në jetën e përditshme, e në jetën politike.

E vetmja gjë që ma zbut zhgënjimin e dëshpërimin është, se shoh vajza e djem feministë që rriten me tjera koncepte. Që nuk hanë dushk për gogla, as pranojnë t’i grahë dikush përpara si bagëti, për hir të asnjë ideali.

Pyes veten, athua çfarë do të ndodhte sikur ato të nisnin një fushatë #metoo për abuzimet ndaj vajzave e grave në mesin e mediave, e të partive politike?

Dikush duhet t’ua rrëmbejë sakicën nga dorë këtyre kriminelëve. Dikush duhet t’ua këpusë kokën gjelave tanë budallenj nga të gjithë krahët, se ka goxha shekuj që na këndojnë maje plehu.