Maqedonia duket se do të ndjek shembullin e qeverisë së Edi Ramës lidhur me Lojërat e Fatit.

Partitë shqiptare janë të gatshme të përkrahin ligjin për mbylljen e lojërave të fatit në Maqedoni.

Zëdhënësi i Qeverisë Muhamed Hoxha thotë se Qeveria e Republikës së Maqedonisë përkatësisht Ministria e Financave është në fazën e përgatitjes së ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Lojërat e Fatit.

Hoxha ka bërë të ditur se drafti do të publikohet në platformën ENER, ku postohen të  gjitha projekt-ligjet e qeverisë së Maqedonisë për të marrë mendime nga opinioni publik.

Teksti final do të kalojë në debat qeveritar dhe më pas do të dërgohet për miratim në Parlamentin e Maqedonisë.

Sipas zëdhënësit të kabinetit për çdo vendim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë opinioni do të jetë i njoftuar në kohë.

Edhe partitë politike shqiptare përkrahin mbylljen e kazinove dhe basteve.

Aleanca për Shqiptarët, pohon se do të marri vendimin më të mirë në favor të qytetarëve duke luftuar këto fenomene shkatërruese për shoqërinë.

Edhe Lëvizja Besa, pjesë e shumicës parlamentare nuk përjashton mundësinë e përkrahjes së një ligji të tillë.

Ne na duket qëndrim i drejtë ai i Qeverisë shqiptare dhe ne do diskutojmë në Qeveri një mundësi të tillë. Gjithsesi mbetemi të përkushtuar në luftën kundër veseve shoqërore”, thotë zëdhënësi i Lëvizjes BESA.