Ne media po raportohet se ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa do të shkarkohet.

Ministri Mustafa është ministri i tretë në ministrinë e Punëve të Brendshme në Qeverinë Haradinaj, pas Flamur Sefajt e Bejtush Gashit.

Ekrem Mustafa është emëruar në postin e ministrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme pas nominimit nga bashkëpartiaku i tij, deputeti Labinot Tahiri.

E ky i fundit ka reaguar edhe pas lajmeve për shkarkimin e tij.

Deputeti Labinot Tahiri për lajmi.net është shprehur se nuk do të ndodhë një gjë e tillë, së paku derisa vet Labinot Tahiri, kreu i AKR-së Behgjet Pacolli ose Ramush Haradinaj të dalin me komunikatë zyrtare në lidhje me këtë gjë.

Ai gjithashtu ka reaguar në lidhje me raportimin se ministri i radhës që do të emërohet në këtë ministri pas shkarkimit të Ekrem Mustafës nuk do të nominohet nga Labinot Tahiri.

“Nuk është e vërtetë që nuk do të nominohet nga unë, sigurisht që unë do ta nominoj.

Ministri do të jetë gjithsesi nga Ferizaji, kjo është pjesë e një marrëveshje me kryeministrin Haradinaj dhe nuk ka të bëjë me pazare politike”, është shprehur deputeti Tahiri.

Ndërkohë vlen të theksohet se në dijeni për mundësinë e shkarkimit të ministrit Mustafa nuk janë në dijeni as nga partia e tij e as vet ai.

Sekretari i kësaj partie Vesel Makolli ka thënë për lajmi.net se nuk janë në dijeni për këtë çështje.

E për këtë nuk është në dijeni as vet ministri Mustafa, ai për lajmi.net ka thënë se nuk është në dijeni që në media po raportohet për shkarkimin e tij.