Ish-kryeministri Nikolla Gruevski i është hequr mandati i deputetit.

Me 62 vota për, asnjë kundër, asnjë abstenim dhe në mungesë të deputetëve të VMRO-DPMNE-së në sallë, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë i hoqi imunitetin e deputetit Gruevskit.

Në sallën plenare nuk ishin të pranishëm deputetët opozitarë të VMRO-DPMNE-së, kryetar nderi i së cilës është Gruevski, ndërsa për kërkesën e gjykatës për paraburgim të tij nuk pati debat.

Më herët gjatë ditës së sotme, Komisioni për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit, me pesë vota pro dhe asnjë kundër miratoi gjashtë kërkesat e gjykatës për marrjen e imunitetit të deputetit për shkak të masës së arrestit ndaj ish-kryeministrit Gruevski, i cili u arratis nga Maqedonia dhe mori azil në Hungari.

Për secilën nga gjashtë kërkesat e gjykatës që kanë të bëjnë me lëndët në të cilat gjykohet Gruevski, deputetët votuan veçmas, ndërsa anëtarët e komisionit nga radhët e VMRO-DPMNE-së bojkotuan këtë mbledhje.