Përfundimi i radioteleskopit më të madh në botë është shoqëruar nga një vëmendje e madhe mediatike në Kinë dhe në botë, ndërsa autoritetet kineze kanë transmetuar drejtpërdrejt në televizione edhe vendosjen e pjesës së fundit të superantenës, që shpresohet se do të diktojë sinjale nga universi.

Televizoni shtetëror kinez shfaqi pamjet e montimit të panelit të fundit trekëndor, nga 4.450 të tilla, mbi reflektorin me diametër 500 metra.

Ndërtimi i radioteleskopit kolosal nisi në vitin 2011 dhe, sipas autoriteteve, ka kushtuar 180 milionë dollarë.

Teleskopi me hapje sferike njihet më thjeshtë me emrin “Fast” dhe ka përmasat e 30 fushave futbolli.

Ai ndodhet në malet e provincës Guangzhou dhe pritet që të nisë zyrtarisht operacionet në shtator.

Përparimi i programeve hapësinore është një prioritet për Pekinin, ndërsa vet presidenti kinez Xi Jinping ka bërë thirrje se vendi duhet të përcaktohet sa më shpejt si një superfuqi në hapësirë.

Ambiciet e Kinës përfshijnë dërgimin e njeriut në Hënë në vitin 2036, si dhe ndërtimin e një stacioni hapësinor, puna për të cilin ka nisur.

Kina këmbëngul se programi i saj hapësinor ka vetëm qëllime paqësore, por Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka theksuar se rritja e aftësive hapësinore kineze ka si qëllim të pengojë rivalët të përdorin asetet hapësinore në kohë krizash.

Shiko Videon: