Këshilltari më i afërt i presidentit francez , Ismael Emelien, ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij në qeveri.

Presidenti Makron e ka nisur riformatimin e kabinetit të tij për t’i zbutur pakënaqësitë e protestuesve, të cilët i kanë filluar protestat kundër qeverisë në nëntor të vitit të kaluar.

Këshilltari 31-vjeçar ishte njëri nga udhëheqësit e fushatës parazgjedhore të presidentit francez, në të cilën Makroni kishte premtuar një kombinim të ideve djathtiste dhe majtiste.

Besohet se dorëheqja e tij është pjesë e planit të presidentit për ta ndryshuar rrethin e ngushtë të njerëzve në kabinetin qeveritar.

Emelien ka deklaruar se do të largohet nga kjo pozitë në fund të muajit mars sepse synon ta marrë një rol me peshë më të madhe publike dhe se planifikon ta publikojë një libër për politikat progresive.

Emri i tij është lakuar në hetimin e një ish-këshilltari të presidentit, por ai ka mohuar se largimi nga qeveria ka të bëjë me këtë skandal.

Skandali me ish-këshilltarin kishte shpërthyer kur ai ishte incizuar i veshur me uniformë të policisë dhe duke i rrahur protestuesit, pavarësisht se nuk ishte i trajnuar dhe nuk kishte përvojë si polic.

Ai ishte shkarkuar nga pozita e tij, por partitë opozitare e kanë akuzuar qeverinë se po përpiqet ta mbulojë skandalin, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.