Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë dhe avokatit mbrojtës në çështjen e të akuzuarës Vahide Badivuku, duke vërtetuar kështu aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 5 prill 2016.

Sipas këtij aktgjykimi, e akuzuara V.B. është shpallur fajtore  për veprën penale: “Marrja e ryshfetit”, (vepër të cilën e kishte kryer në cilësi të prokurores së shtetit dhe është dënuar me 3 vjet burgim).

Asaj po ashtu i është shqiptuar dënimi me gjobë prej 5 mijë euro, si dhe i është ndaluar ushtrim i funksionit në Administratën Publike ose në Shërbimin Publik për tri vjet.

Kolegji gjyqësor i Gjykatës së Apelit i ka ri cilësuar veprimet e dy të akuzuarve tjerë të këtij rasti I.K. dhe I.S. nga “ Ushtrim ndikimi “ në “Dhënie ryshfeti”.

I pari është dënuar me një vjet burgim, ndërsa të dytit i është vërtetuar dënimi me gjobë prej 3 mijë eurosh.