I hoqën kempin në mënyrë të çuditshme, Apeli therës i gruas pa gjunjë: Kërkoj të ha një copë bukë

Naime Koçi nga Burreli nuk ka arritur të përfitojë kemp, dhe pse nuk ka këmbë dhe nuk ka gjunjë.

Ajo thotë se në Burrel është trajtuar me Kemp për 43 vite, ndërsa pasi u martua dhe u zhvendos në Tiranë në 2016ën, nuk ia njohën këtë të drejtë.

Asaj i thanë që nuk e përfiton kemp-in, pasi është njeri normal, kur në fakt ajo nuk mund të ecë pasi këmbët e saj janë thjesht dy shkopa pa gjunjë.

Ajo tha për STOP:

Jam një qytetare nga Burreli, jam trajtuar me kemp për 43 vjet. Në 2016-n nga Burreli zhvendosem dhe vij në Tiranë, martohem në Tiranë.

Vij tek Kempi Epror dhe më thonë që kempi nuk të takon, sepse je një njeri normal.

Nga brezi e lart me më parë njeri normal i dukem, por me më parë nga mesi e poshtë, unë nuk mund të eci. Unë eci 10 metra dhe ulem.

Këto (këmbët) janë thjeshtë dy shkopa pa gjunjë fare.

Më tej ajo ka shfaqur habinë për mënyrën sesi është trajtuar. Kjo për shkak se nuk mund të ecë dhe si rrjedhojë nuk mund të bëjë asnjë punë. Ajo kërkon që t’i japin sërish kemp-in, pasi nuk ka ku të ha bukë.

Naimja shtoi:

Nuk bëhet fjalë që jam e shkurtër, por unë kam këmbët me probleme që nuk mund të eci. Nuk më mbajnë trupin.

Unë bëj dy hapa dhe ulem sepse nuk mund të eci. Si ma heqin pensionin… asnjë punë nuk mund të bëj, çfarë punë mund të bëj unë.

Pa shkollë, gjë jo, si mund të punoj unë.

Kërkoj të marr vetëm atë kemp, të haj një copë bukë dhe unë si gjithë të tjerët, se nuk kam ku përplasem, ku të ha bukë… nuk ka kush të më japë.