Helmim masiv nga gjelltorja në Drenas – shkon në 85 numri i të prekurve

Iftari që hëngrën, për pak u kushtoi me jetë.

Rreth 80 banorë të Komunës së Drenasit u helmuan nga ushqimi që porositën në një nga gjelltoret e qytetit.

Ata po dyshohet se u helmuan nga sosi dhe mishi që iu servua të premten mbrëma.

Për këtë rast, Policia tashmë ka nisur hetimet, derisa lokali është mbyllur përkohësisht.

Ndërkohë, në Agjencinë e Ushqimit deklarojnë se po i bëjnë analizat.

E nga gjelltorja ku u porosit ushqimi, nuk janë deklaruar ende.

Arjeta Shabani

Ushqimi që hëngrën për iftar, disa prej banorëve të Komunës së Drenasit i bëri për spital.

Ata dyshohet se u helmuan nga ushqimi që kishin porositur në Gjelltoren dhe Qebaptoren “Toni”, në këtë qytet.

Më shumë se 80 banorë kryesisht të rrethinës së Drenasit dyshohet se u helmuan nga mishi e sosi që iu servua mbrëmjen e 16 majit.

Po atë natë, si të helmuar në Shtëpinë e Shëndetit u lajmëruan 12 persona nga një familje, ndërkohë që deri sot numri i të helmuarve ka arritur në 85.

Në Policinë e Kosovës deklarojnë se tashmë kanë nisur hetimet për këtë rast.

Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti i ka thënë Gazetës Express se rasti është iniciuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Ahmeti ka thënë se për këtë rast është intervistuar pronari i lokalit, dhe se i njejti është liruar me procedurë të rregullt pas intervistimit.

“Fillimisht e kemi pranuar si informatë.

Lidhur me këtë ngjarje më 18 maj, me urdhër të Prokurorit është iniciuar rasti si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Është intervistuar pronari i lokalit, dhe i njejti pas intervistimit është liruar me procedurë të rregullt.

Policia është duke punuar ngushtë më Prokurorinë, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës dhe Inspektoratin komunal në Drenas për zbardhjen e kësaj ngjarje”, ka thënë Ahmeti.

Ndërkohë, në Komunën e Drenasit deklarojnë se mënjëherë pas rasteve të para të helmimit kanë lajmëruar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës për verifikim të mostrave për analiza të ushqimit.

Zëdhënësi i kësaj komune, Bekim Dobra i ka thënë Gazetës Express se pas rritjes së numrit të personave të helmuar, Inspektorati ka marrë aktvendim për mbyllje të lokalit prej të cilit është marrë ushqimi.

Dobra thotë se deri tash, numri i të helmuarve ka shkuar në 85 persona.

“Komuna, pas njoftimit nga shtëpia e shëndetit se ka raste të helmimit me ushqim fillimisht rreth 14 raste, 4 të hospitalizuar dhe 10 në gjendje stabile, ka lajmëruar AUVK-në për verifikim të mostrave për analizua të ushqimit.

Pas rritjes së numrit të personave të helmuar deri në 85, Inspektoriati komunal për shkaqe të sigurisë së shëndetit të përgjithshëm ka marrë aktvendim për mbyllje të përkohëshme të lokalit të dyshuar, deri në konstatim të rezultateve nga agjencioni i ushqimit”, ka thënë ai.

Dobra ka deklaruar se në rast të konstatimit se helmimi ka rrjedh si pasojë e ushqimit nga ky lokal, do merren masat kompetente sipas ligjit në fuqi.

E në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës deklarojnë se aktualisht mostrat janë në laboratorë duke u testuar.

Zëdhënësi i AUV’it, Lamir Thaçi i ka thënë Gazetës Express se menjëherë pas marrjes së informatës nga Komuna e Drenasit, Inspektorët e AUV’it kanë udhëruar marrjen e mostrave të ushqimit të gjetura në kuzhinë.

“Tani mostrat janë në laboratorë duke u testuar.

Pacientet e shtrirë ne spital janë intervistuar, të gjitha shenjat klinike të tyre janë evidentuar.

Mbi bazën e këtyre informatave të cilat janë mbledhur gjatë hulumtimit të anamnezës së rastit dhe bazuar në rezultatet laboratorike të mostrave do të veprojmë sipas rregullave ligjore”, ka thënë ai.

Thaçi ka deklaruar se aktualisht ata janë duke e përcjellë gjendjen shëndetësore të pacientëve dhe në pritje të rezultateve.

“Tani për tani biznesi qëndron i mbyllur, jemi duke e përcjell gjendjen shëndetësore të pacienteve dhe jemi ne pritje të rezultateve të analizave laboratorike të ushqimit dhe strishove.

Të gjitha veprimet ligjore të deritanishme janë ndërmarrë nga autoritete kompetente”, thuhet në përgjigjet e Thaçit drejtuar Gazetës Express.

Gazeta Express ka provuar të kontaktojë edhe me pronarët e Gjelltores dhe Qebaptores “Toni” në Drenas, ku edhe është porositur ushqimi, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.

Në gjithë numrat që figurojnë në menynë e kësaj gjelltorje, janë gabim.

Ndryshe, Drejtori i shtëpisë së shëndetit “Dr Hafir Shala” në Drenas, Ismet Bogiqi e ka konfirmuar të premten se disa persona janë helmuar nga ushqimi.

Sipas tij këta persona kanë marrë ushqim në këtë gjellëtore për iftarin e organizuar në shtëpinë e tyre, ndërsa thuajse e gjithë familja janë lajmëruar në Shtëpinë e Shëndetit me ankesën se janë helmuar.

“Një familje nga Tersteniku i Drenasit ka porositur iftarin për një ndejë që kanë pasur në familjen e tyre, ata e kanë konfirmuar që këtë porosi e kanë bere në restaurant apo gjellëtore.

Të nesërmen janë trajtuar, doktoresha e ka lajmëruar rastin ndërkohë është ardhur në përfundim se ka qenë infektim”, ka thënë Bogiqi.

Ai po ashtu ka deklaruar se me rast të njëjtë ka pasur edhe persona të tjetër, ndër ta edhe dy persona nga Komorani të cilët po ashtu e kanë konfirmuar se pasi kanë ngrënë ushqim në atë gjellëtore gjendja shëndetësore e tyre është përkeqësuar.

“12 persona kanë qenë nga ky grup i familjes që kanë porositur ushqimin ndërsa edhe dy të tjerë janë lajmruar në spitalin tonë nga Komorani për të cilët mjeku kujdestar ka raportuar se me datë 16 maj kanë ngrënë ushqim në po atë restaurant”, shtoi tutje drejtori i shtëpisë së shëndetit në Drenas.