Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore kushtuar Betejës së Zhegocit dhe 50 dëshmorëve të Brigadës “Kadri Zeka”, e cila organizohet nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se, nderimi për të rënët për liri, në radhë të parë është vazhdim i vetëdijes kombëtare, njofton kumtesa.

“Vetëdija jonë e lirisë është e gjatë, rrugëton nëpër shekuj dhe kalon nëpër momente që e bëjnë historinë tonë”, tha kryeministri Hardinaj, duke shtuar se pikërisht në këtë vend, në Zhegoc, në ditën e sotme, kur kujtohet të rënët për liri, është po ashtu një moment i rëndësishëm i historisë sonë për liri.

Kryeministri Haradinaj, gjatë fjalës së tij, tha se lirinë tonë e kanë penguar në ardhje, e mohojnë edhe sot dhe kuptohet e përpjesëtojnë në mënyra të ndryshme dhe do të vazhdojnë kështu.

“Por, liria jonë është e sigurt, sepse për garant ka të rënët për liri dhe ka pikërisht vendin ku pushojnë heronjtë dhe dëshmorët tanë.

Nëse për liri kemi qenë të gatshëm të qëndrojmë jo vetëm në vijën e parë të zjarrit, por edhe aty ku kanë rënë heroikisht, jam i bindur se do të qëndrojmë edhe për të drejtën tonë për ta forcuar lirinë dhe shtetin tonë”, tha kryeministri Haradinaj.

Siç thuhet në njoftim, kryeministri Hardinaj tha se shqiptarët janë ndarë dhe padrejtësisht janë detyruar të jetojnë të ndarë, por mohimi i Kosovës së sotme nga kushdo që bëhet, është gabim, përcjell lajmi.net.

“Nuk do të lejojmë ne, që e dimë se sa e shtrenjtë ishte rruga për liri, të na mohohet e drejta në konsolidim, e drejta në shtet dhe shteti do të bëhet në Kosovë dhe jo në tavolinat e bisedimeve”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se në tavolinat e bisedimeve mundet vetëm të konfirmohet ajo që ka vendosë populli i Kosovës, pra, një Kosovë e pavarur, që duhet të anëtarësohet në mekanizmat ndërkombëtarë, në BE, NATO, OKB.

Kryeministri Haradinaj tha se të gjithë ata zyrtarë ndërkombëtarë dhe citoi komisionerin Hahn, i cili ka thënë se “nëse palët janë dakord, flasim për kufij’, duhet ta kuptojnë se hapja e kufijve do të hapë çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në Ballkan.

Kryeministri Haradinaj tha se dhimbja do të ekzistojë gjithmonë për të rënët, por pa ta, të cilët nderohen sot, nuk do të ishim këtu ku jemi sot.

Para të pranishmeve një fjalë e mbajti edhe Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Shpresa Kurteshi-Emini, e cila tha se muaji Prill edhe sot të freskëta na i sjellë kujtimet për të gjithë dëshmorët, e po ashtu kujtojmë edhe martirët dhe heronjtë e rënë për lirinë e Kosovës, të cilën po e gëzojmë sot.

Komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, tha se sot kujtojmë një ngjarje të madhe që ka ndodh në këtë rajon, një luftë fitimtare, për shkak se në Zhegocin heroik bijtë dhe bijat e këtij vendi i dhanë goditje armikut.

Një fjalë para të pranishmëve e mbajti edhe kryetari i Këshillit të fshatit, Islam Rashiti.