Transferimi i parë i Milanit në afatin kalimtar të janarit mund të vijë nga Chelsea.

Milan raportohet se i ka ofruar kontratë prej dy vite e gjysmë mesfushorit Cesc Fabregas.

Sipas Gazetta dello Sport, bisedimet mes Milanit dhe agjentit të lojtarit, Darren Bein, janë duke vazhduar, përcjell ‘lajmi.net’.

Kjo gazetë po ashtu raporton se spanjolli tashmë i ka treguar skuadrës së Chelsea se dëshiron të luajë më shumë, dhe Milan i ka propozuar një ofertë prej katër milionë euro në sezon.

Fabregas në janar hynë në gjashtë muajt e fundit të kontratës së tij me Chelsea, dhe kjo mund të bëjë që blutë të vendosin për shitjen e tij në afatin dimëror, nëse pranojnë një ofertë prej 12 milionë euro nga Milan.

Mesfushori spanjoll është pjesë e Chelsea që nga viti 2014, dhe me skuadrën nga ‘Stamford Bridge’ ka fituar dy tituj të Premierligës.

Gjatë karrierës së tij, Fabregas ka veshur edhe fanellat e Barcelonës dhe Arsenalit.