Mustafa Nano pas debatit të gjerë publik që hapi me tezën e tij se e ëma e Skënderbeut, Vojsava ishte sllave, vjen sërish me një tjetër deklaratë të fortë.

Në një reagim për gazetën “Mapo”, Nano thotë se dhe fëmijët e Skënderbeut, dhe motra e tij, u martuan më serbë, fakt që tregon sipas tij, se sa për zemër i ka patur Skënderbeu, sllavët në Ballkan.

Nano shkruan:

Madje – në këtë pikë, mbahuni burra! – edhe i biri i Skënderbeut, me emrin Gjon, mori për grua Jerina Paleologen (Erina Paliologa në origjinal), që ish bijë e Llazarit, despotit të Serbisë (shih faqen 432 te përkthimi i Xhufit apo faqen 28 te libri i Charles Hopf-it).

Doni më?

Edhe e motra e Skënderbeut, Maria (siç e quan Gjon Muzaka) apo Mara (siç e quan Marin Barleti), u martua me Stefan Cernojeviqin (shih faqen 447 te libri i Xhufit “Nga paleologët te Muzakajt”, dhe faqen 295 te libri i Charles hopf-it “Chroniques greco-romanés”).

Siç shihet, Kastriotët i kanë pasur shumë për zemër martesat me serbë e sllavë. Por nuk ka nevojë të ligështohet asnjë patriot.

Kjo nuk ndryshon asgjë në faktin që Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka qenë, është, dhe do të mbetet heroi kombëtar i shqiptarëve.