Klubi më i ri i Futsallit kryeqytetas, FC Prishtina 01 do të garojë në Superligë sezonin e ardhshëm.

Ky klub është mjaft i organizuar dhe synon të përmirësohet edhe më shumë, në mënyrë që ta përfaqësojë Prishtinën dhe Kosovën në arenën ndërkombëtare

FC Prishtina 01 po bëhet krenaria e kryeqytetit, shkruan Gazeta Express.

Klubi më i ri në Kosovë i Futsallit po korr suksese të njëpasnjëshme.

Ky klub është themeluar në gusht të vitit 2018, pra i organizuar rishtazi, por me lojtarë dhe staf me përvojë, të cilët kanë lënë gjurmë në sportin e Futsallit.

Siç tregon kryetari i klubit, Malsor Buzuku, iniciativa për krijimin e klubit ka nisur me ndjenjën e nevojës për një klub të denjë të Futsallit nga kryeqyteti, pasi sipas tij, në këtë sport Prishtina ka qenë nën hijen e qyteteve tjera edhe pse gjithmonë ka prodhuar lojtarë cilësorë.

Kreu i klubit prishtinas i ka përmendur të arriturat e tyre në periudhën prej më pak se një viti, të cilat sigurisht se janë për t’ua pasur lakmi.

Pa dyshim, arritje historike për këtë klub është edhe finalja e Kupës së Kosovës.

“Duke i marrë parasysh sfidat dhe problemet që hasin klubet tjera në fillimet e tyre, klubi ynë ka pasur të arritura të jashtëzakonshme.

Qysh në sezonin e parë ne e arritëm finalen e Kupës së Kosovës, arritëm në finalen e Kupës së Qyteteve si dhe përfunduam garat e rregullta në Ligën e Parë të Futsallit të Kosovës pa asnjë humbje të vetme.

Krejt kjo falë angazhimit të madh, si nga ana e kryesisë dhe stafit, ashtu edhe lojtarët, që nuk kursyen asgjë për ngjyrat bardhe e kaltër.

Për kundër të gjitha vështirësive, ne jemi mjaft të kënaqur me arritjet tona këtë sezon sepse të gjitha sakrificat u kurorëzuan në fund me sukseset e njëpasnjëshme”, shprehet Buzuku.

Lajmet e mira për FC Prishtina 01 nuk kanë të ndalur.

Falë paraqitjeve mbresëlënëse në Ligën e Parë, kjo skuadër e preu një biletë për të luajtur në elitën e Futsallit kosovar sezonin e ardhshëm.

Prishtinasit nuk do të hyjnë në Superligë vetëm sa për sy e faqe.

Ata kanë synime të mëdha në sezonet në vijim.

“Ne tani jemi zyrtarisht në Superligë, garë kjo shumë më kompetitive sesa Liga e Parë.

Mirëpo, ne do ta shfrytëzojmë tani pushimin që të përgatitemi sa më mirë, të përforcohemi me ndonjë lojtar cilësor dhe në tetor do të jemi të gashëm për çdo kundërshtar sepse i dimë aftësitë tonë.

Dhe, synimi ynë kryesor do të jetë titulli kampion dhe Kupa dhe pastaj që ta përfaqësojmë Prishtinën dhe Kosovën edhe në garat ndërkombëtare”, ka shtuar kryetari i klubit kryeqytetas.

Sigurisht, për ta mbajtur një klub të Futsallit në Kosovë nuk është aspak e lehtë.

Mirëpo, FC Prishtina 01 shpreson në përkrahje edhe më të madhe tash e tutje për faktin se do të luajë në Superligë.

“Si në çdo sport tjetër në Kosovë, edhe një klub të Futsallit është mjaft e vështirë për ta mbajtur.

Krejt kjo për shkak se mungojnë kushtet, duke përfshirë mungesën edhe të gjërave elementare.

Mirëpo, me ndihmën e sponsorit tonë kryesor dhe me ndihmën e disa sponsorëve të tjerë dhe Komunës së Prishtinës, ne ia kemi dalë”, shpjegon Buzuku.

“Në Superligë shpresojmë të jetë ndryshe sepse ne tash veç kemi lënë gjurmë dhe shpresojmë që do të kemi më shumë përkrahje, si nga ana e FFK-së dhe Komunës, e po ashtu edhe nga sponsorët, sepse në fillim kishte një lloj hezitimi, të cilin e kuptonim edhe ne pasi që ishim klub i ri.

Por, tani është krejt ndryshe dhe ne jemi të hapur për bashkëpunime me të gjithë dashamirët e sportit dhe së bashku ta dërgojmë Prishtinën dhe Futsallin përpara”, përfundoi numri 1 i klubit prishtinas të Futsallit.

Futbollistët që kontribuuan në këtë sukses të jashtëzakonshëm të FC Prishtina 01 janë: Nuhi Krasniqi, Arbnor Krasniqi, Korab Muharremi, Getart Hyseni, Oso Gjinovci, Durim Qorri, Agon Ramadani, Shefki Kamberi, Besnik Selmani, Bardh Kelmendi, Endrit Hajdini, Dardan Berisha, Haris Zeneli, Ari Kaqanolli e Shpat Hashani.

Kurse, trajner është Haki Ahmeti.