Eroll Salihu mesazh Feronikelit: Jeni të obliguar të ndani bileta për “Plisat”, absurd ndalimi i fëmijëve

Feronikeli dhe Prishtina kanë para tyre edhe 90 minuta për të përcaktuar kampionin e ri të Kosovës në futboll.

Nikli do të jetë nikoqir i skuadrës prishtinase më 19 maj (e diele), me fillim prej orës 16:00 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

Drenicakët kanë bërë njoftimin e parë zyrtar rreth nxjerrjes së biletave në shitje, ku ndër të tjerash parashihet që fëmijët nën moshën 15-vjeçare nuk do të lejohen në fushë.

I kontaktuar nga Telegrafi, Eroll Salihu, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, ka pohuar se ky vendim i zigjelbërve është absurd dhe nuk bazohet në asnjë rregullore.

“Askund nuk shkruan se i ndalohet fëmijëve pjesëmarrësja në fushë.

Për çka luhet futbolli, për tifozë të grupmoshave të ndryshme”, tha fillimisht ai.

Ai më tutje ka deklaruar se skuadra vendase është e obliguar që një pjesë të tribunave t’iu ndajë tifozëve mysafirëve ani pse ata kanë paralajmëruar se një gjë e tillë mund të mos ndodh shkaku i disa punimeve që po kryhen në stadium.

“Nikli ka paralajmëruar federatën se një pjesë e stadiumit është duke u ndërtuar.

Por, kjo nuk do të thotë që nuk duhet të jenë të pranishëm tifozët e ekipit kundërshtar në shkallët e stadiumit, por edhe zyrtarët e mysafirët prishtinas.

Feronikeli ka krijuar një traditë të mirë të mikpritjes së kundërshtarëve, nuk besoj se do të ndodh një gjë e tillë”, tha Salihu për Telegrafin.