Qysh nga dita e daljes në shitje të Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, në mediat online, ka pasur një debat të madh rreth këtij fjalori.

I nxitur prej këtij debati, ditë më parë, publikova pikëpamjen time për të.

Mehmet Kraja, kryeredaktori i Fjalorit, e që tash po del të jetë edhe mastermind-i i tij, ka bërë një reagim ndaj shkrimit tim të botuar në gazetaexpress.com, me titull “Kotësia e kushtueshme”.

Tezave të mia, për kotësinë e Fjalorit të printuar enciklopedik të Kosovës, Kraja u përgjigjet me tezën për hipokrizinë time, e cila, sipas tij, e bën të paqëndrueshëm dhe të pabesueshëm pikëpamjen time mbi vlerën e Fjalorit.

Dhe, cila na qenka kjo hipokrizi e imja, të cilën Kraja ma përplas fytyrës?

Pse unë dal kundër botimit të printuar të një Fjalori Enciklopedik të Kosovës nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, derisa dy vite më parë, kam botuar një libër timin në edicionet e printuara të Akademisë.

E para: Akuza e Krajës për hipokrizi do të kishte kuptim vetëm në rast se unë do të shprehja pikëpamjen se Akademia duhet të ndaloj së botuari libra në formën e printuar dhe të gjitha botimet e saj t’i publikoj vetëm në versionin digjital.

Natyrisht unë nuk e kam shprehur një mendim të tillë dhe nuk besoj se do të bëjë edhe në të ardhmen.

E dyta: Kraja, si akademik, shkrimtar dhe publicist veteran që është, do duhej ta merrte parasysh se ka një dallim të madh mes një libri që trajton një çështje të caktuar dhe një enciklopedie e cila pretendon të na flas për të gjitha çështjet.

Kraja e injoron këtë dallim, sepse nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta ndërtuar akuzën e tij, e cila përbën krejt substancën e shkrimit të tij kundër pikëpamjes time.

Nga ana ime do të ishte hipokrizi dhe pandershmëri, nëse për hir të faktit se Akademik ka botuar librin tim, unë të dilja e të thurrja elozhe për Fjalorin e saj enciklopedik.

E treta: Për publikun duhet të sqaroj një fakt: ideja dhe iniciativa për botimin e studimit tim në edicionet e Akademisë është kryekëput e profesor Muhamedin Kullashit, cili e ka bërë recensionin e studimit dhe ka shkruar një parathënie për të.

Në asnjë rast të vetëm profesor Kullashi nuk më ka treguar se kush ka qenë pro e kush kundër botimit të librit tim nga ASHAK-u.

Tani Kraja po tregon se ai ka qenë kundër.

Nuk prish punë.

Nuk do të ishte ndonjë gjë edhe sikur kundërshtimi i tij të fitonte dhe libri im të mos botohej nga Akademia.

Do të botohej diku tjetër gjithsesi.

Mbase edhe në versionin digjital, në të cilin me siguri do të lexohej shumë më shumë se që lexohet si libër i printuar.

Poashtu, Kraja tregon se e ka lexuar librin tim dhe se mund të diskutoj për të.

E falënderoj për këtë. Kam lexuar edhe unë ndonjë libër të tij, herë pas here.

Në shkollë të mesme ia pata lexuar romanin “Udhëzime për kapërcimin e detit” dhe kur po lexoja reagimin e tij ndaj shkrimit tim, ku mes tjerash Kraja thotë se fillimisht nuk donte ta lexonte shkrimin tim për shkak të asociacioneve të mjegullta që i nxiste titulli i tij, pikërisht kjo fraza “asociacionet e mjegullta” më solli në mendje romanin e Krajës “Udhëzime për kapërcimin e detit”, i cili, nga fillimi në fund, është një odiseadë e asociacioneve të mjegullta.

Mbase për shkak se vetë çështja të cilën e trajton romani është e mjegullt, siç janë rëndom çështjet e mesjetës.

Mbase edhe për shkak se shumë shkrimtarë kosovarë, në vitet e Jugosllavisë komuniste, u pëlqente mjegulla letrare që quhet hermezitëm.

Hermetizmi është rrymë legjitime në literaturën simboliste, por kur ai lulëzon në një ambient të varfër letrar e kulturor siç ishte Kosova e viteve të komunizmit jugosllav, atëherë ai rrezikon të shndërrohet në marrëzi të ligjëruar.

Megjithatë, mjegullnaja hermetike në letërsinë kosovare, me gjasë, e ka edhe një shkak tjetër, shumë më të rëndësishëm: dështimin për ta injektuar Shqipen e Njësuar Letrare në sistemin edukativ dhe kulturor kosovar.

Si rezultat i këtij dështimi, siç argumenton bindshëm Arshi Pipa, letërsia kosovare është shndërruar në një mish-mash të gegnishtes së toskizume.

Në këtë mish-mash, ajo që shkruajnë shkrimtarët kosovarë është një kosovarishte e mbushur me klishe të huazuara nga shqipja zyrtare dhe serbishtja, dhe e cila karakterizohet me fenomenet e deformimit të sintaksës, deformim i cili pastaj e deformon gjithë semantikën e fjalisë.

E kur merr fund semantika, teksti bëhet praktikisht i palexueshëm.

Kjo palexueshmërii ka ndodhur dhe vazhdon t’i ndodhë edhe sot letërsisë kosovare.

Për pasojë, ajo ka humbur çdo komunikim kulturor me botën shqiptare, me lexuesin kosovar dhe me lexuesin ndërkombëtar.

Krejt kjo, jo për fajin tonë, por për shkak se kishim fatin historik të jetojmë në gjendjen e trysnisë ideologjike të dy regjimeve totalitare, të cilat, për llogari të veta, nuk hezitonin fare të eksperimentonin me ne.

Kraja, thotë se përveç se e ka lexuar librin tim, mund edhe të diskutoj për të.

E mirëpres diskutimin e tij.

Do të ishte mirë që shembullin e tij ta ndiqnin edhe shumë kolegë të tij në Akademi, që u janë thinjur flokët duke vegjetuar në shpellën albanologjike.

Libri im do t’u ndihmonte paksa për të dalë nga kjo shpellë dhe për të nisur atë që është e domosdoshme për ASHAK-un, reformën konceptuale fillimisht, dhe më pas edhe transformimin në një institucion kredibil shkencor, në të cilin shkohet me merita të verifikuara shkencore e kulturore, e jo me seleksionim klanesh e lidhjesh personale, seleksionim i cili mirëmbahet prej faktit se në Kosovën pa sistem dinjitoz pensional, ASHAK-u perceptohet si një mundësi e jashtëzakonshme për të marrë një pagë të lartë deri në vdekje.

Tani, të kthehemi tek çështja e fjalorit.

Teza e paraqitur në shkrimin tim është e thjeshtë. Sot në botë, trendi aktual i botimeve enciklopedike, është trendi i braktisjes së botimeve të printuara dhe zëvendësimi i tyre me enciklopeditë online.

Tri enciklopeditë më të njohura në botë, Collier’s Encyclopedia, Encyclopedia Americana dhe Encyclopedia Britannica, njëra pas tjetrës, kanë hequr dorë nga edicionet e printuara.

Kjo është bërë jo se dikujt i ka shkrepur në kokë një gjë e tillë, por për faktin se informacioni i printuar nuk mund të konkurrojë më me informacionin online, as në rrafshin e saktësisë, e as në atë të shpejtësisë.

Gabimet në enciklopeditë e printuara nuk mund të përmirësohen derisa të dalë edicioni tjetër i tyre, gjë që merr kohë dhe para, gjithashtu, ndërsa enciklopeditë digjitale përmes mekanizmit të përditësimit (update) shpejt dhe pa para i përmirësojnë gabimet.

Le ta marrim një shembull nga Fjalori i Krajës.

Në vëllimin e parë të këtij Fjalori, në faqen 303, është dhënë biografia e Adem Demaçit.

Dikush që nuk ka dëgjuar për Demaçin në informacionin e dhënë për të mund ta mësojë vetëm datëlindjen e tij, e cila është viti 1936.

Data e vdekjes së Demaçit nuk është dhënë fare, sepse në kohën kur fjalori është dërguar në shtyp, Demaçi ende ishte gjallë.

Që të plotësohet kjo mungesë informacioni Fjalori enciklopedik i Krajës, duhet të shkoj edhe njëherë në shtyp, të marrë muaj derisa të bëhet gati, pastaj të gjenden punëtorë të ngarkimit e të shkarkimit, që ta fusin nëpër kamionë e ta shpërndajnë nëpër botë, por, në ndërkohë që zhvillohet ky operacion gutenbergian i iluminimit, mund të vdesë ndonjë personalitet tjetër, në biografinë e të cilit Fjalori Enciklopedik jep vetëm datëlindjen dhe gjithçka duhet të filloj përsëri nga e para.

A nuk është donkishotizëm botues, një gjë e tillë!?

Natyrisht që është! Derisa Fjalori Enciklopedik i Krajës, në shtator të vitit 2018, ende nuk e di se Demaçi ka vdekur, më 26 qershor të këtij viti, Wikipedia e jep këtë informacion që ditën vdekjes së tij.

E njëjta gjë ndodhë edhe me Fadil Vokrrin.

Në shtator të vitit 2018 Fjalori Enciklopedik i Krajës ende nuk e di se Fadil Vokrri ka vdekur me 9 korrik të këtij viti.

Wikipedia ndërkaq e di që atë ditë dhe po të ishim nën mëshirën e informacionit të Fjalorit të Krajës ne ende sot do të mendonim se Vokrri është shëndosh e mirë.

Këto arsye dhe shumë të tjera, e me të cilat nuk dua ta mërzis lexuesin, kanë shkaktuar vdekjen e natyrshme të enciklopedive të printuara dhe në këtë situatë, të insistosh në dobinë e tyre, do të thotë ose mungesë e sensit për kohën në të cilën po jetojmë, ose pafuqi për tu shkëputur nga produktet kulturore vlera e të cilave ka skaduar.

Kjo pafuqi,është e kuptueshme për ata që tërë jetën e kanë kaluar në kontekstin e kulturës së printuar. Vetë Umberto Eco, i cili e pranonte këtë pafuqi, thoshte se duhet t’i ruajmë bibliotekat fizike, sepse nesër, kush e di, ndonjë virus digjital apokaliptik mund të shkatërrojë gjithë bibliotekën globale digjitale dhe ne mund të mbesim pa informacionin dhe dijen që përbëjnë substancën e kulturës njerëzore.

Një pandehmë kjo në thelb romantike, sepse romantizmi gjithmonë ka qenëi tillë, një vlerësim i sigurive të së kaluarës i nxitur nga ndjesitë e pasigurive që shfaqen në horizontin e të ardhmes.

Fjalori enciklopedik i Krajës, pasi humbë betejën donkishotiane me saktësinë dhe shpejtësinëe informacionit, ai e humbë betejën edhe me objektivitetin e tij.

Në shkrimin e tij, Kraja arsyeton Fjalorin e printuar duke thënë se përmes këtij Fjalori biografitë e personaliteteve të shkencës, kulturës, historisë e politikës kosovare, janë pastruar nga gënjeshtrat e teprimet dhe kësisoj është krijuar një standard shkrimi, kulture dhe përvoje, e cila ka edhe vlerë afatgjate.

Kur i lexojmë me vëmendje këto biografi, e shohim se Fjalori, jo që nuk ka bërë pastrimin objektiv të tyre, por ka vazhduar avazin e vjetër “të biografive që janë në qarkullim”, e të cilat Kraja i quan “autobiografi të mbushura përplot vetëmburrje dhe gënjeshtra, madje edhe në botën akademike”.

Një numër i madh i autorëve që kanë shkruar biografitë e personaliteteve të përfshira në zërat e Fjalorit, del të jenë të njohur, miq, kolegë e shokë të këtyre personaliteteve, gjë që na jep të kuptojmë se këto biografi janë shkruar sipas dëshirave të vetë personaliteteve në fjalë. Që do të thotë se këto biografi, formalisht, janë të tilla, ndërsa realisht janë autobiografi, e autobiografitë, siç thotë George Bernard Shaw, në princip janë gënjeshtra të planifikuara.

Ndërkaq në rastin për të cilin po flasim, kemi të bëjmë me një gënjeshtër të dyfishtë, sepse autobriografitë, pra gënjeshtrat, janë paraqitur si biografi, pra është gënjyer edhe në emërtimin e tyre.

Me këtë gjë autorët e këtij Fjalori kanë rënë në logjikën e listave të veteranëve të UÇK-së.

Si komandantët e UÇK-së që të afërmit e të njohurit e tyre i kanë futur në listat e luftëtarëve të saj, pa qenë asnjë ditë të vetme në luftë, njësoj vartësit e kryekomandantit të Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, Mehmet Krajës, kanë futur në listat e zërave të Fjalorit, personalitete të pajisura me vepra të lavdishme të shkencës, kulturës dhe historisë.

Në këtë pikëpamje, Fjalori i Krajës është një ekuivalent akademik i Listave të fryra të veteranëve të UÇK-së.

Në këtë mes pyetja që shtrohet është : Çfarë të bëjmë?

Kjo është pyetja e famshme të cilin Lenini e vodhi nga Chernyshevsky.

Sigurisht në këtë pyetje nuk duhet të përgjigjemi në formën me të cilën u përgjegj vetë Lenini, sepse komunistët e kanë një defekt themelor i cili tërë kohën ua prish planet dhe ëndrrat: komunistët pyetjet i kanë të mira, përgjegjet i kanë katastrofale.

Përgjegjia e vetme racionale, në rastet për të cilat po flasim, është që komandantët të mblidhen dhe mashtruesit ti largojnë nga listat e luftëtarëve të UÇK-së, ndërsa akademikët ti lënë kotësirat e kushtueshme dhe t’u kthehen studimeve që përnjëmend meritojnë të quhen akademike e shkencore.

Në ASHAK ka shumë emra që mund ta bëjnë një gjë të tillë.