E pa që ishte zbathur, 9-vjeçari heq këpucët e tij dhe ia vesh lypësit të vogël në rrugë

Një video që tregon zemërgjerësinë e një fëmijë 9-vjeçar po bën xhiron e rrjetit.

Cheikh Faizal kishte dalë me prindërit e tij në momentin që pa një djalë tjetër të vogël, të pastrehë, që ishte zbathur.

Djalit të vogël, si duket i erdhi keq për djalin tjetër që dukej sikur kishte të njëjtën moshë me të, prandaj donte që të bënte diçka të mirë për të.

Kështu, pa u menduar dy herë, ai i hoqi këpucët dhe çorapet që kishte dhe u mundua t’ia vishte lypësit që rrinte në rrugë me të ëmën.

Pasi ia veshi këpucët dhe e përqafoi disa herë, Cheikh u largua zbathur bashkë me babain e tij. Videoja është filmuar në 12 janar në Kuala Lumpur.

Babai krenar i djalit, Sofian u shpreh:

“Djali im pa të voglin pa këpucë dhe e vendosi vetë se duhej të bënte diçka për ta ndihmuar…

Shpresoj se të gjithë në botë do ta shohin këtë mesazh pozitiv dhe të reflektojnë se ne mund të ndihmojmë sadopak të tjerët.

Ka shumë të pastrehë, por nëse të gjithë mundohemi t’i ndihmojmë nga pak, mund t’iu përmirësojmë jetën.”