Dy të maskuar plaçkitin argjendarinë, plagosin shitësin në Ferizaj

Dy persona të maskuar kanë hyrë në një argjendari në qytetin e Ferizajt, ndërsa nën prezencën e pronarit kanë plaçkitur një sasi të arit.

Rastin për klankosova.tv e ka konfirmuar Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, ndërsa ka shtuar se një person në cilësinë e punëtorit të kësaj argjendarie, ka mbetur i plagosur.

Gashi bëri të ditur, se personat e maskuar janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia është duke vazhduar procedurat e mëtejme për zbardhjen e këtij rasti dhe kapjen e të dyshuarve.

Rasti mësohet se ka ndodhur në mbrëmjen e sotme në rrugën ‘’Dëshmorët e Kombit’’ në Ferizaj. /Klan Kosova/