Ditët e nxehta do ta kaplojnë Evropën dhe vendin tonë, alarmante

Autoritetet lokale në Paris kanë aktivizuar të hënën një plan alarmi për motin e nxehtë, ndërsa kryeqyteti i Francës por edhe e gjithë Evropa, po përgatitet për një tjetër javë me temperatura të larta, si ato të një muaji më parë.

“Niveli i tretë” i alarmit përfshin masat për të siguruar se të moshuarit dhe ata që kanë probleme shëndetësore të mund të kontrollohen në çdo kohë, si dhe të sigurohen hapësira për strehim.

Sipas parashikimeve, temperaturat në Paris mund të arrijnë deri në 37 gradë Celsius në ditën e martë.

Në muajin qershor, Franca por edhe gjermania dhe vende të tjera, regjistruan temperatura që thyen rekordet e të gjitha kohërave.

E ndërsa Evropa po përgatitet për një valë të dytë të nxehti, Shtetet e Bashkuara të Amerikës sapo kanë hedhur pas një fundjavë përvëluese me qytetet e mëdha si Nju Jorku, Filadelfia dhe Uashingtoni që u përcëlluan në temperatura rrezikshmërisht të larta.

I nxehti është shtrirë nga pjesa qendrore e deri në brigjet e Atlantikut dhe ka prekur rreth 150 milionë njerëz.

Zyra e shërbimit kombëtar të motit në qytetin e Omahës, ia doli që të piqte biskota, mbi kofanon e një makine të parkuar.

Pas afro tetë orësh në diell, në një temperaturë që arriti deri në 85 gradë celcius, biskotat ishin plotësisht të pjekura.

Sidoqoftë, e hëna ka bërë që temperaturat të bien disi, pavarësisht se ekspertët kanë paralajmëruar se moti ekstrem do të vazhdojë, me reshje shiu dhe stuhi veçanërisht në brigjet lindore.