I akuzuari për gjuajtje me armë me gaz në aheng familjar, Isa Zeqiri të mërkurën është dënuar nga Gjykata Themelore në Gjilan me 300 euro gjobë.

Gjykatësi Islam Thaçi e shqiptoi këtë dënim pasi paraprakisht Zeqiri, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Arben Kadriu e pranoi fajësinë për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Po bre krejt qashtu u kon, aty janë kon 160-70 veta e kanë pa, veç nuk e kam ditë që është vepër penale me gjuajt me gaz”, deklaroi Zeqiri.

Të njëjtit gjithashtu iu konfiskua edhe arma të cilën e kishte poseduar.

Para se gjykatësi Thaçi të shqiptonte dënimin, prokurori Kadriu i propozoi gjykatës që të merrte si rrethanë rënduese shkallën e rrezikshmërisë shoqërore, ndërsa si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Ndërsa i akuzuari Zeqiri kërkoi nga gjykata një dënim sa më të butë për të, raporton betimiperdrejtesi.com

Ndryshe, më 9 gusht 2017 Prokuroria Themelore në Gjilan kishte ngritur aktakuzë ndaj Isa Zeqirit, për kryerjen e veprës penale “mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, Zeqiri më 31 korrik 2017 rreth orës 00:40 minuta në Gjilan, në restorantin “Luxor”, deri sa kishte qenë në një aheng familjar, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin mbi armët, kishte poseduar një armë të zjarrit.

Zeqiri, pretendohet se kishte shtënë një herë në ajër me pistoletën me gaz, ndërsa pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës pistoleta dhe 13 fishekë i ishin sekuestruar.