Dekorate e merituar për Ismail Kashtanjeven, dhënë nga presidenti Bujar Nishani

Populli shqiptar gjatë historisë, duke qenë i robëruar, i kolonizuar, i shtypur, i ndjekur, i torturuar, vuajti nga  perandori dhe shtete të ndryshme.

Vuajtjet e këtij populli thellohen sidomos me copëtimin e territoreve etnike, duke filluar prej Kongresit të Berlinit, deri të shpërbërja e Jugosllavisë  komuniste, kurse kulmi i vuajtjeve, i krimeve, i mizorive dhe i spastrimeve etnike të popullit shqiptar të Kosovës, nga regjimi i Beogradit arriti në vitin 1999, saqë për ndërprerjen e spastrimit etnik dhe të një gjenocidi bizar, u detyrua të intervenonte faktori ndërkombëtar në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes NATO-s.

Dr. Riza Sadiku, Prishtinë

Në rrethana të tilla, gjatë periudhave të ndryshme historike, sidomos prej asaj të Rilindjes Kombëtare deri në rënien e sistemit komunist, atdhetarët e mirëfilltë të kombit shqiptar, nuk kanë pasur mundësi që aktivitetin e tyre politik, për çlirim dhe bashkim kombëtar, ta zhvillojnë në trojet e tyre etnike, por në mërgim.

Për shkak të sundimit gjysmëshekullor të ideologjisë komuniste, jo vetëm opinioni i gjerë shqiptar, por edhe shumë intelektualë, pak janë të informuar me veprimtarinë politike dhe kombëtare të mërgatës shqiptare.

Andaj, sot para institucioneve shkencore dhe historianëve të mirëfilltë, shtrohet një detyrë shumë serioze, që veprimtaria kombëtare e mërgatës shqiptare, të studiohet e të analizohet dhe, në bazë të fakteve dhe argumenteve, të zërë vendin meritor në historinë e popullit shqiptarë.

Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore dhe me triumfin e ideologjisë komuniste, në trojet etnike shqiptare, organizatat dhe personalitetet e mirëfillta kombëtare, pa mëshirë u ndoqën, u burgosën dhe u likuiduan (në shumë raste pa procedurë gjyqësore) nga regjimi komunist, duke i etiketuar dhe njollosur me të gjitha llojet e ngjyrave dhe epiteteve antikombëtare.

Atdhetarët të cilët i shpëtuan terrorit sllavo-komunist, dhe atij të regjimit të Enver Hoxhës, me dhimbje të thellë u detyruan ta lëshonin vendlindjen, për të zhvilluar aktivitetin e tyre politik dhe kombëtar në mërgim.

Organizatat politike dhe kombëtare, të cilat pa hamendje dhe pa luhatje, por me mburrje dhe krenari, punuan në bazë të Dekalogut të Mid’hat Frashërit, pareshtur dhe pa pushuar për gjashtëdhjetë vjet në mërgim, në propagandimin dhe afirmimin e çështjes së pazgjidhur shqiptare, si në organizatat e ndryshme ndërkombëtare, ashtu dhe në Administratën Amerikane, ishin: Balli Kombëtar, Komiteti  “Shqipëria e Lirë” dhe Lidhja Kosovare, në kuadër të të cilave vepronte edhe Ismail Kashtanjeva.

Veprimtarët e organizatave të lartpërmendura, në kuadër të të cilave vepronte edhe Ismail Kashtanjeva, kanë organizuar dhe kanë marrë pjesë në shumë protesta dhe demonstrate, si në Çikago, Detroit, Nju Jork dhe Uashington prej vitit 1968, lidhur me afirmimin, sensibilizimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes se pazgjidhur mbarëkombëtare, në veçanti të Kosovës.

Duhet theksuar se Lidhja Kosovare, por duke mos i nënvlersuar edhe veprimtarit kombëtare edhe të organizatave tjera që kanë vepruar në mërgim, ka qenë motori kryesor i organizimit të protestave dhe demonstratave, kundër regjimit të Beogradit, për shkak të shtypjes të popullit shqiptarë nën Jugosllavi.

Njëri ndër personalitet i cili kur nuk i është ndarë  veprimtarisë kombëtare të Lidhjes Kosovare ka qenë edhe Ismail Kashtanjeva  i cili  ka lindur më 26 prill të vitit 1936, në Nerodime të Ferizajit.

Në moshën 17 vjeçare, për arsye politike dhe ekonomike e lëshon vendlindjen për tu punësuar në Slloveni, pas disa viteve ilegalisht kalon në Trieshte të Italisë, pastaj përmes përfaqësuesve të Ballit Kombëtar dhe Lidhjes Kosovare, respektivisht Hafëz Jusuf Azemit, në vitin 1963 kalon në SHBA, Çikago, i cili nga kjo kohë kur nuk u nda  nga veprimtaria kombëtare dhe politike e Ballit Kombëtar dhe Llidhjes Kosovare. Ismail  Kashtanjeva i ka përkrah të gjitha akcionet financiare për çështjen kombëtare në veçanti për Kosovën.

Është pjesëmarrës  në shumë  demonstrataa dhe protesta të organizuara në Çikago, Detroit, Nju Jork dhe Uashington, lidhur me afirmimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes se pa zgjidhur të Kosovës dhe pozitës të shqiptarëve në tërësi nën Jugosllavi.

Ismail Kashtanjeva me veshjen dhe Flamurin Kombëtar të qëndisur nga Zonja e tij u ka prijë demonstratave, i cili me pamjen e tij markante, ka qenë në qendër të mediave amerikane.

Ismail Kashtanjeva, ka qenë dorë e djathtë e Jusuf Azemit në të gjitha aktivitetet kombëtare në SHBA, duke mos e kursyer as pasurinë personale dhe familjare. Në shumë aktivitete logjistike, sidomos në protesta dhe demonstrata, kanë marrë pjesë edhe anëtarët e ngusht të Familjes Kashtanjeva.

Për kontributin kombëtar të Ismail Kashtanjevës në mërgim, ekzistojnë një mori dokumentesh në fondin e arkivit të Ballit Kombëtar dhe të Lidhjes Kosovare , veprimtaria e tij kombëtare përmendet jo vetëm në disa artikuj të kohës në gazetën “Flamuri”, gazetën “Besa”, në buletin “Përpjekja Kosovare”, “Rezistenca  Shqiptare”, por edhe në disa monografi dhe libra të botuar në kohën e fundit, në të cilat bëhet fjalë për veprimtarinë e mërgatës shqiptare dhe Lidhjes Kosovare në SHBA, andaj me plotë të drejtë, Presidenti Bujar Nishani, përmes Këshilltarëve të tij, veprimtarinë kombëtare në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës të zotëri Ismail Kashtanjevës e shpërblen me titullin për Merita të Veçanta Civile, e cila mirënjohje, është shumë domethënëse dhe një satisfakcion shpirtëror, jo vetëm për Ismailin, por për tërë familjen Kashtanjeva.

Kjo mirënjohje modeste,  ka  një rëndësi të veçantë, jo vetëm Ismail Kashtanjevën, por për të gjithë veprimtarët e mërgatës shqiptare, andaj një mirënjoheje e tillë, le tu shërbej si shembull  jo vetëm Kryetarëve të Shteteve Shqiptare, por edhe Kryetarëve të Komunave të trojeve etnike shqiptare, që shumë veprimtarëve kombëtar të mërgatës shqiptare një numër i madh i të cilëve nuk janë më në mesin tonë, tˊu ndahen mirënjohje të tilla, të cilët, gjatë të gjithë periudhave historike, tërë jetën ia kushtuan çështjes kombëtare, pa interesa personale.

SHPËRNDAJE