Çmenduri në stërvitjen e Bayernit, trajneri Kovaç sulmohet me thikë

Një ngjarje absurde ka ndodhur në stërvitjen e fundit të Bayernit të Mynihut dhe protagonist kryesor ka qenë tekniku i bavarezëve.

Një tifoz i irrituar ia doli të hynte në qendrën stërvitore dhe i është vërsulur trajnerit kroat, duke tentuar ta godasë me thikë.

Siç raporton “Bild”, tifozi është futur në fushat e qendrës stërvitore me pretendimin se donte të luante me lojtarët. Më pas, ai i është sulur trajnerit Kovaç duke e kapur nga këmbët.

Për fatin e mirë, ndërhyrja në kohë e policisë bëri që agresori të kapej dhe situata të mos agravonte më tepër.

Ende nuk dihen shkaqet që detyruan personin të hynte në fushën stërvitore, emri i të cilit mbahet sekret nga forcat e policisë për arsye sigurie.

Nga ana tjetër, trajneri Kovaç nuk dashur të komentojë ngjarjen e rëndë, të ndodhur dje në mesditë.