Policia e Kosovës bashkë me prokurorinë gjatë ditës së sotme mbajtën konferencë për media ku folën rreth veprimeve policore për vrasjen e dyfishtë që ndodhi të martën mbrëma fshatin në Brekovc të komunë së Gjakovës.

Drejtori rajonal në policinë e Gjakovës, Ahmet Hasi, u shpreh se viktima gjatë raportimit të kanosjes nga ish-bashkëshorti në polici nuk kishte kërkuar mbrojtje Ai deklaroi se rasti nga policia e Gjakovës është hapur vetëm si ‘kanosje’.

“Në orën 15:00 ankuesja, tani viktimë, bashkë me vëllëzërit ka hapur rast ‘kanosje’, pasi ka njoftuar se më sms është kërcënuar nga bashkëshorti.

Hetuesit e kanë kërkuar personin në fjalë, përfshirë edhe në shtëpinë e tij në fshatin Bitesh.

Disa herë është provuar të kontaktohet edhe përmes telefonit.

Me rastin e paraqitur me 7 gusht, viktima nuk ka kërkuar mbrojtje as strehim, derisa është hapur vetëm rast kanosje për sms-t”, ka thënë Hasi.

Tutje, Hasi në kronologji ka treguar për njoftimin për vrasje që ka marrë policia të martën rreth orës 21:00, arrestimin e të dyshuarit dhe gjetjen/konfiskimin e armës.

Ai ka thënë se është duke u hetuar rasti bashkë me prokurorinë e shtetit dhe se është njoftuar edhe inspektorati policorë për të gjitha veprimet.

Ndërkohë, prokurori Armend Zenelaj ka deklaruar se seanca dëgjimore për këtë rast do të mbahet kur të dyshuarit t’i përmirësohet gjendja shëndetësore.

Në anën tjetër, Agim pula nga zyra për mbrojtjen e viktimave deklaroi se i kanë ofruar strehim viktimës por ajo nuk ka pranuar, me arsyetimin se është e strehuar tek vëllezërit e saj.

Në deklaratën para hetuesisë edhe vëllai i viktimës ka deklaruar se do ta brojë motrën e tij dhe pesë fëmijët e saj.

Tutje drejtori i policisë rajonale në Gjakovë, Ahmet Hasi ka deklaruar se i dyshuari ka pësuar lëndime serioze në kokë në momentin e arrestimit.

Thotë se do t’i hetojnë rrethanat për të shpjeguar se nga kanë ardhur ato lëndime./GazetaExpress/