Akil Gjakova kërkon medalje në Budapest /Grand Prix 2019

Në ‘Grand Prix 2019’ të xhudos që po mbahet në Budapest të Hungarisë, sot (e shtunë) zhvillohen ndeshjet e ditës së dytë.

Kosova në këtë event të rëndësishëm të xhudos, po përfaqësohet nga pesë garues.

Në ditën e parë, skuadra e Driton Kukës ka arritur të fitojë dy medalje të argjendta.

Janë Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova që ditën e premte kanë fituar medalje të argjendta, duke u mundur në finale, ndërsa për t’u befasuar ka qenë Majlinda Kelmendi, që ka mbetur pa medalje.

Gjatë ditës së shtune, është radha e Akil Gjakovës që të synojë medaljen.

Akili garon në kategorinë deri në 73 kilogramë, dhe raundin e parë do ta kalojë pa luftë.

Në raundin e dytë, Akili do të përballet me fituesin e duelit Constantin Gabun dhe Nour Eldin Hamada.

Kujtojmë se në ‘Grand Prix 2019’ pjesëmarrëse është edhe Loriana Kuka, që do të garojë gjatë ditës së diel (nesër)./Lajmi.net/