Drejtues së Bashkimit Demokratik për Integrim në kuadër të aktiviteteve të fushatës për referendumin për emrin dhe hyrjen e Maqedonisë në NATO, ka qëndruar në Kërçovë, ku para të pranishmëve shpalosën qëndrimin për hyrjen në aleancën ushtarake më të madhe NATO.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti bëri të ditur se me 30 shtator votohet ardhmëria, me 30 shtator shënohet historia më e re moderne e këtij shteti.

“Më 30 shtator vendoset se a do të jemi të rreshtuar pranë vendeve të demokracisë perëndimore apo njëherë e përgjithmonë do t’i zhgënjejmë të gjithë miqtë tanë dhe do të shkelim mbi të gjitha ato platforma, programe e përcaktime që i kemi pas dhe të rreshtohemi atje ku se kemi vendin pranë bllokut lindor”, tha ai.

Ahmeti kërkoi që qytetarët e Kërçovës të votojnë ‘për’ në referendum, duke thënë se ‘30 shtatori është i papërsëritshëm’.

“Të gjithë duhet të vetëdijesohemi dhe ndërgjegjësohemi, kush është patriot dhe atdhetar më 30 shtator voton për stabilitetin e vendit, sigurinë.

Patriotizëm është të votosh për ardhmërinë e brezave të ardhshëm dhe kjo ardhmëri vendoset më 30 shtator,” tha kryetari i BDI-së.

Ndryshe, gjatë ditës së nesërme shtabi i BDI-së për referendum do të qëndrojë në Komunën e Bërvenicës dhe atë të Bogovinës.

Maqedonia dhe Greqia kanë arritur kohë më parë marrëveshje rreth emrit të ri të shtetit maqedonas, për të cilën kryeministri Zoran Zaev thotë se njeh në mënyrë të qartë veçantinë e kombit maqedonas.

Sipas marrëveshjes, Maqedonia do të quhej Maqedonia e Veriut, pasi Athina zyrtare deri tash ka kontestuar emërtimin për shkak se atë e mban një rajon në territorin e saj.

Pjesë e referendumit do të jetë edhe hyrja e Maqedonisë në NATO.

Në komunikatën përfundimtare të vendeve anëtare të NATO-s në samitin në Varshavë në korrik përsëritet ftesa që Maqedonia të bëhet anëtare e Aleancës veri-atlantike sapo të gjendet zgjidhje për kontestin me Greqinë për emrin.